Bota Health & Beauty

Hantavirusi po krijon shqetësim, gjithçka duhet të dini sipas ekspertëve!

Numri i udhëtarëve që mund të jenë prekur nga një variant i rrallë dhe vdekjeprurës i një sëmundjeje të quajtur hantavirus ka vijuar të rritet.

Shpërthimi i kësaj sëmundjeje pak të njohur, e cila zakonisht transmetohet nga brejtësit te njerëzit, nisi në mesin e prillit në një anije ekspedite turistike me flamur holandez, MV Hondius, e nisur nga Ushuaia, Argjentinë, më 1 prill. Që atëherë, të paktën tre persona nga 147 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të anijes kanë humbur jetën dhe të paktën pesë të tjerë janë raportuar të sëmurë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Një rast i ri i dyshuar me hantavirus u raportua më 7 maj, kur një stjuardesë e kompanisë Royal KLM Dutch Airlines, e cila kishte pasur kontakt me një nga pasagjerët e infektuar të anijes turistike, u shtrua në spital në Amsterdam për analiza. Ende nuk është konfirmuar nëse ajo ka rezultuar pozitive me virusin.

Edhe pse situata është shqetësuese dhe mund t’u kujtojë udhëtarëve anijet turistike që u vendosën në karantinë në fillim të pandemisë së COVID-19, zyrtarët thonë se publiku i gjerë nuk ka arsye për panik.

Ky nuk është koronavirus, tha Dr. Maria Van Kerkhove, drejtuese për gatishmërinë dhe parandalimin e epidemive dhe pandemive në OBSH, gjatë një konference për shtyp më 7 maj.

Ky është një virus shumë ndryshe. Nuk është fillimi i një pandemie si COVID. Kemi të bëjmë me një shpërthim në një anije. Nuk përhapet në të njëjtën mënyrë si koronaviruset.

Zyrtarët konfirmojnë se shpërthimi në anijen turistike lidhet me variantin e rrallë Andes të hantavirusit

“Specia e hantavirusit e përfshirë në këtë rast është virusi Andes”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp më 7 maj. Ky variant “gjendet në Amerikën Latine dhe është e vetmja specie e njohur që mund të transmetohet në mënyrë të kufizuar nga njeriu te njeriu”.

Në shpërthimet e mëparshme të virusit Andes, transmetimi mes njerëzve është lidhur me kontakt të afërt dhe të zgjatur, veçanërisht mes anëtarëve të familjes, partnerëve intimë dhe personelit mjekësor, tha Ghebreyesus. Sipas tij, ky model duket se po përsëritet edhe në shumicën e rasteve të raportuara në anijen turistike.

Për virusin Andes, periudha e inkubacionit, pra koha nga infektimi deri në shfaqjen e simptomave, zakonisht është nga dy deri në katër javë. Por simptomat mund të shfaqen edhe deri në gjashtë javë pas ekspozimit fillestar.

Duke pasur parasysh periudhën e inkubacionit, është e mundur që të raportohen raste të tjera, tha Ghebreyesus.

Çfarë është saktësisht hantavirusi?

Hantavirusi është një sëmundje e bartur nga brejtësit, që mund të transmetohet te njerëzit dhe të shkaktojë probleme akute respiratore. Sipas CDC-së, sëmundja “fillimisht shkakton simptoma të ngjashme me gripin, të cilat mund të përparojnë në gjendje më të rënda, ku pacientët kanë vështirësi në frymëmarrje”. Ajo është fatale për gati katër në dhjetë persona që infektohen.

Hantavirusi transmetohet më së shpeshti përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet dhe pështymën e brejtësve, në rast kafshimi, thotë Dr. Carla McWilliams, drejtuese për sëmundjet infektive, cilësinë dhe sigurinë në Cleveland Clinic Weston Hospital. Megjithëse janë raportuar raste të transmetimit nga njeriu te njeriu, kjo konsiderohet shumë e rrallë.

Nuk ka trajtim specifik për hantavirusin, por spitalet mund të ofrojnë kujdes mbështetës, përfshirë asistencë në frymëmarrje dhe ventilim për simptomat e rënda respiratore. CDC thotë se nisja e trajtimit sa më herët është thelbësore për të rritur mundësitë e shërimit.

A nisi shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike?

Zyrtarët ndërkombëtarë të shëndetësisë besojnë se infektimi fillestar me hantavirus ndodhi përpara se pasagjerët të hipnin në anije në Argjentinë më 1 prill. Dy pacientët e parë të infektuar ishin një çift holandez, të martuar, që kishin udhëtuar në Argjentinë, Kili dhe Paraguaj në një tur vëzhgimi shpendësh, duke vizituar zona ku dihet se jetojnë brejtës që mbartin hantavirusin Andes, thanë zyrtarët e OBSH-së.

Që prej atij momenti, virusi duket se është përhapur te kontaktet e afërta në bord dhe te të paktën një anëtar i stafit mjekësor të anijes.

A duhet të shqetësohen udhëtarët për përhapjen e mëtejshme të hantavirusit?

Edhe pse ky është një incident serioz, OBSH vlerëson se rreziku për shëndetin publik është i ulët, tha Ghebreyesus.

Kontakti i afërt, dhe jo ai rastësor, duket se është një faktor i rëndësishëm në transmetimin nga njeriu te njeriu, vëren Dr. Daniel Kuritzkes, mjek i lartë në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Mass General Brigham. Ai i referohet një studimi që zbuloi se pikëzat respiratore, dhe jo aerosolet, ka të ngjarë të jenë shkaku i rasteve të rralla të transmetimit mes njerëzve.

Kjo do të thotë se pikëzat bien shpejt dhe kanë më pak gjasa të infektojnë persona që thjesht ndodhen në të njëjtën dhomë.

Në përgjithësi, ekspertët presin që situata aktuale të mbetet kryesisht e kufizuar te pasagjerët e anijes turistike dhe kontaktet e tyre të afërta. Në raste të mëparshme të transmetimit të hantavirusit nga njeriu te njeriu, karantina ka ndihmuar në kontrollin e shpejtë të shpërthimit, sipas Kuritzkes.

Ka shumë pak gjasa që shpërthimi aktual të çojë në një epidemi më të gjerë.

A duhet të marrin udhëtarët masa të veçanta paraprake nëse vizitojnë Argjentinën ose Amerikën e Jugut?

Udhëtarët nuk kanë arsye të anulojnë udhëtimet drejt Amerikës së Jugut apo të marrin masa shtesë përtej kujdesit të zakonshëm shëndetësor.

Nuk ka arsye që njerëzit të shqetësohen për udhëtimet në Argjentinë, por duhet të tregojnë kujdes kur vizitojnë vende ku mund të ketë fole brejtësish, thotë Kuritzkes. Personat që qëndrojnë në hotele të zakonshme, ushqehen në restorante dhe vizitojnë atraksione tipike turistike ka shumë të ngjarë të kenë rrezik zero ose minimal për t’u infektuar me hantavirus.

Pasagjerët e kroçierave duhet të ndjekin gjithmonë praktikat më të mira të kujdesit shëndetësor në bord. Udhëtarët duhet të ruajnë higjienën e duarve duke i larë shpesh, sidomos para vakteve dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nga mjeku i anijes nëse fillojnë të ndihen keq.