Art & Kulturë Bota

Hapësirë speciale për Mona Lisën në Luvër të Parisit!

Mona Lisa do të ekspozohet në një dhomë të re të Muzeut të Luvrit, me akses të pavarur nga pjesa tjetër e Muzeut. Kjo u bë e ditur nga presidenti francez, Emmanuel Macron duke folur përballë kryeveprës së Leonardo Da Vinçit.

Dhoma e re do të jetë e aksesueshme në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e muzeut dhe do të ketë “leje më vete” me një pjesëmarrje ndryshe e më paqësore, si edhe një ekspozitë që do të përshtatet me atë që meriton Mona Lisa, shpjegoi shefi i Elizesë, Macron.

Rinovimi i fundit i madh i Luvrit daton në vitet 1980, kur u inaugurua piramida e famshme e xhamit. Sot, muzeu nuk i plotëson më standardet ndërkombëtare. Gjysma e buxhetit të Luvrit financohet nga shteti francez, duke përfshirë pagat e 2 mijë e 200 punonjësve të tij.

Gjysma tjetër vjen nga fondet private, duke përfshirë të ardhurat nga shitjet e biletave, restorantet, shitjet me pakicë dhe të ardhurat e rezervimit të ngjarjeve speciale, si dhe nga sponsorët dhe partnerët e tjerë, duke përfshirë financimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe për përdorimin e markës Louvre Abu Dhabi.

Vitin e kaluar, Luvri priti 8.7 milion vizitorë, më shumë se tre të katërtat e të cilëve ishin të huaj, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Italia fqinje, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania e Spanja po ashtu.