Aktualitet

Hetime policore në Lezhë për dhunën barbare ndaj ish-kreut të PD-së në Dajç!

Policia e Lezhës reagoi lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 9 maj 2026, në autostradën Mamurras-Laç, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ku persona ende të paidentifikuar goditën me sende të forta ish-kryetarin e Partisë Demokratike në Njësinë Administrative Dajç,  Sokol Toma, 53 vjeç, banues në Lezhë, duke i shkaktuar dëmtime në trup.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor ka nisur veprimet intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia sekuestroi pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë e po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore. Hetimet pritet të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së sulmit dhe në identifikimin e personave të përfshirë.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së shtunës, kur persona të maskuar i prenë rrugën Tomës duke e goditur me sende të forta, përpara se të largoheshin.

Nga kalimtarë të rastit, u konstatua në gjendje shoku brenda automjetit dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia deklaron se veprimet hetimore po vijojnë me intensitet dhe se autorët e dhunës do të vihen para drejtësisë.