Aktualitet

Hetimet për 21 Janarin, dy vëllezërit e Hekuran Dedës në SPAK!

Ditën e sotme u paraqitën në SPAK vëllezërit e Hekuran Dedës, njërit prej katër viktimave të 21 Janarit 2011. Agim dhe Zabit Deda dhanë deklarime lidhur me ngjarjen tragjike të 14 viteve më parë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Plot një javë më parë, u shënuan 14 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ai i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, familjarë të katër protestuesve dhe deputetë të PS-së, kryen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë vendit ku më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestuesit.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut. Në korrik të vitit të kaluar, zyrtarisht Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.