Aeroporti i Aalborgut në Danimarkë u mbyll përkohësisht pas shfaqjes së dronëve në hapësirën ajrore, vetëm dy ditë pas alarmit në aeroportin kryesor të vendit në Kopenhagen. Policia daneze tha se dronët e Aalborgut kishin një model të ngjashëm me ata që kishin ndalur fluturimet në Kopenhagen për katër orë të hënën e datës 22 shtator.
Incidenti ndikoi edhe në funksionimin e forcave të armatosura, pasi aeroporti i Aalborgut përdoret si bazë ushtarake.
Autoritetet daneze paralajmëruan më herët se episodi në Kopenhagen ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës së rëndësishme të vendit dhe e lidhën atë me një seri dyshimesh për ndërhyrje me dronë rusë dhe përplasje të tjera nëpër Europë.
Raste të ngjashme ndodhën edhe në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, aty ku hapësira ajrore u mbyll për tre orë pas shfaqjes së një droni të hënën në mbrëmje.
Autoritetet raportuan se disa dronë janë parë pranë aeroportit të Aalborgut, rreth orës 21:44 të mërkurën, 24 shtator.
Eshtë herët për të thënë se cili është qëllimi i dronëve dhe kush qëndron pas tyre, deklaroi një zyrtar i policisë.
Eurocontrol që mbikëqyr trafikun ajror në Europë, ka njoftuar po ashtu se nuk ka pasur fluturime në aeroportin e Aalborgut deri në orën 04:00 të ditës së sotme e kjo për shkak të aktivitetit të dronëve në zonë. Policia konfirmoi se po vijon me hetimet në terren dhe se nuk ka rrezik për pasagjerët apo banorët e zonës.
Tre fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera. Tensionet mbi pushtimin e qiejve europianë nga avionë luftarakë dhe dronë, të cilët Perëndimi beson se u përkasin forcave ruse, nuk tregojnë shenja uljeje. Shefja e Komisionit Europian, Von der Leyen i tha CNN-it se opsioni i rrëzimit të një droni që ndërhyn në hapësirën ajrore të NATO-s është “në tryezë”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Referuar fluturimeve të dronëve mbi hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s akuzoi Rusinë dhe u shpreh se “Moska është sinonim i ndërhyrjes”.
“Planet e promovuara nga Kievi dhe disa kryeqytete europiane, që synojnë zgjatjen e konfliktit, nuk janë të pranueshme”. Kjo u theksua nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një takimi me kolegun amerikan, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.