Bota Film & Tv

Hollivudi në zi, ndërron jetë aktori i njohur!

Aktori i njohur amerikan, Eric Dane, i famshëm për rolet e tij në serialet “Grey’s Anatomy” dhe “Euphoria”, mbylli sytë në moshën 53-vjeçare. Ai u nda nga jeta pas një beteje me sëmundjen e Sklerozës Laterale Amiotrofike (ALS), që prek qelizat nervore, përgjegjëse për lëvizjen e muskujve dhe njihet gjithashtu si sëmundja e Lou Gehrig.

Sipas deklaratës së familjes, Dane kaloi ditët e fundit i rrethuar nga miqtë e ngushtë, bashkëshortja Rebecca Gayheart dhe dy vajzat e tyre, Billie e Georgia. Pas diagnostikimit në vitin 2025, aktori u angazhua për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e kërkimeve shkencore për këtë sëmundje, për të cilën ende nuk ka kurë.

Eric Dane u bë i njohur në mbarë botën me rolin e Dr. Mark Sloan në “Grey’s Anatomy”, ku fitoi nofkën “McSteamy” dhe u kthye në një nga personazhet më të dashur të serialit. Ai ishte pjesë e produksionit nga sezoni i tretë deri në të nëntin, ndërsa u rikthye në sezonin e 17-të. Më vonë, interpretoi rolin e Cal Jacobs në serialin e suksesshëm “Euphoria”.

Gjatë karrierës, që nisi në fillim të viteve ’90, Dane luajti edhe në filma të njohur si “X-Men: The Last Stand”, “Marley &Me” e “Burlesque”. Edhe pas shpalljes së diagnozës, mbeti aktiv dhe kërkoi më shumë fonde dhe mbështetje për kërkimet mbi sëmundjet neurodegjenerative.

Në intervistat e fundit, theksonte se dëshironte të kalonte sa më shumë kohë me familjen dhe të vazhdonte të punonte sa të mundej.

Do të luftoj deri në frymën e fundit, shprehej Dane, duke folur për shpresën që të shihte vajzat të rriteshin e të realizonin ëndrrat e tyre.