Bota Celebrities

Kinemaja në zi, lamtumirë Nadia Farès!

Ka ndërruar jetë dje në moshën 57-vjeçare aktorja dhe modelja franceze me origjinë marokene Nadia Farès, e cila ishte gjetur pa ndjenja në një pishinë në Paris një javë më parë dhe që nga ajo kohë ndodhej në koma.

Lajmi u njoftua nga vajzat e saj, Cylia dhe Shana Chasman.

Farès mbylli sytë në spitalin Pitié-Salpêtrière Hospital, ku u shtrua të dielën pasi ishte nxjerrë nga pishina e një klubi privat në Rue Blanche, në zonën e nëntë të kryeqytetit francez.

Aktorja-modele do të duhej të xhironte filmin e saj të parë artistik si skenariste dhe regjisore shtatorin e ardhshëm.

Falë punës së palodhur, introspeksionit dhe vendosmërisë së pastër gjeta një ekip fantastik. Po punojmë së bashku për një komedi aksioni me Tf1 Studios, shpjegonte në një intervistë të dhënë në janar.

Po ashtu, zbuloi se në vitin 2007 ishte operuar në tru për shkak të një aneurizmi mjaft të madh:

Një bombë me sahat që duhej trajtuar urgjentisht. Dhe brenda katër vitesh kam bërë tre ndërhyrje në zemër. Notoj katër herë në javë.

E lindur në Marrakech në vitin 1968, Farès u rrit në Nice përpara se të transferohej në Paris, për të ndjekur karrierën artistike.

Punën në kinema e nisi në vitet ’90, duke punuar me regjisorë të njohur si Claude Lelouch.

Ka marrë pjesë edhe në filmin “Poliziotti” të vitit 1995 të Giulio Bases, me Claudio Amendolën dhe Kim Rossi Stuart.