Aktorja Wai Ching Ho ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere të gjatë dhe të suksesshme në teatër, televizion dhe kinema.
Artistja u bë e njohur për publikun ndërkombëtar falë interpretimit të Madame Gao në serialet e Marvel, përfshirë “Daredevil”, “Iron Fist” dhe “The Defenders”. Ajo la gjurmë edhe në filmin “Hustlers” (2019), ku luajti rolin e gjyshes së personazhit të interpretuar nga Constance Wu.
Lajmi i trishtë u konfirmua nga familja e saj përmes një deklarate prekëse, ku falënderuan publikun për mbështetjen dhe mesazhet e shumta të ngushëllimit.
Jemi thellësisht mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme. Të lexojmë se sa shumë do të thoshte Wai për kaq shumë njerëz është një ngushëllim i madh për ne në këtë periudhë të vështirë
-thuhet në deklaratën e familjes.
Pas publikimit të lajmit, rrjetet sociale u mbushën me mesazhe homazhi nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të saj.
Aktori Peter Shinkoda u shpreh se nuk do ta harrojë kurrë dhe se kishte mësuar shumë prej saj gjatë bashkëpunimeve, ndërsa aktorja Mahira Kakkar e përshkroi Wai Ching Ho si një artiste të jashtëzakonshme dhe një burim frymëzimi për breza të tërë aktorësh.
E lindur në Hong Kong, Wai Ching Ho ndërtoi një karrierë që zgjati për dekada, me role në disa prej serialeve më të njohura televizive, si “Orange Is the New Black”, “Law & Order”, “Only Murders in the Building”, “Fresh Off the Boat” dhe shumë produksione të tjera në televizion, teatër dhe film.
Deri më tani, familja nuk ka bërë publik shkakun e vdekjes së aktores.