Hugh Jackman ka zgjedhur të flasë hapur për një betejë personale që e ka shoqëruar prej vitesh, duke dërguar një mesazh të fortë ndërgjegjësimi për shëndetin.
I ftuar në emisionin “The Howard Stern Show”, aktori i famshëm zbuloi se ka luftuar plot gjashtë herë me kancerin e lëkurës, pasojë e ekspozimit të gjatë ndaj diellit gjatë fëmijërisë dhe rinisë së tij në Australi.

Jackman sqaroi se format e kancerit që ka pasur nuk ishin melanoma, më e rrezikshmja nga të gjitha, por gjithsesi serioze.
Kam pasur disa raste të kancerit të lëkurës, kryesisht karcinomë të qelizave bazale dhe skuamoze. Nuk janë për t’u marrë lehtë
-u shpreh ai.
Aktori theksoi se edhe pse karcinoma e qelizave bazale shpesh konsiderohet më pak kërcënuese, ajo mbetet kancer dhe mund të përhapet nëse nuk trajtohet në kohë.
Nëse e neglizhoni, mund të depërtojë në kocka dhe atëherë situata bëhet shumë më serioze
-paralajmëroi ai.
Jackman pranoi gjithashtu se, edhe pas diagnozës së parë, kishte vazhduar të nxihej në diell gjatë vizitave në Australi, një vendim që sot e quan të gabuar. Sipas tij, edhe një djegie e vetme nga dielli mund të ketë pasoja afatgjata.
Sot, aktori i nënshtrohet kontrolleve dermatologjike çdo tre muaj dhe u bën thirrje të gjithëve të përdorin mbrojtje nga dielli dhe të mos e nënvlerësojnë rrezikun.