Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, për “Max Sport” të dielën ka folur për kuqeblutë. Ai ka dribluar rastin Gruda. “Në ndeshjen e parë e panë të gjithë se patëm shumë raste dhe nëse do të shënonim një gol, do të bënim edhe të dytin dhe të tretin.
Por kjo nuk ndodhi, dhe mandej erdhi goli i kundërshtarit, që mund ta quaj aksidental. Dua të theksoj edhe që arbitrimi nuk ishte ai i duhuri në ndeshjen e parë, sepse kemi pasur dy raste të pastra për penallti. Ndoshta ky është një problem për të gjitha ekipet shqiptare, sepse kur luajnë në Kupat e Europës hasin në një arbitrim shumë të dobët. Dhe mbase Federata Shqiptare e Futbollit, me forcën e saj, duhet të jetë pak më shumë aktive për t’i mbështetur ekipet, sepse ne nuk mund të ecim vetëm po nuk patëm edhe mbështetjen e Federatës.
Në ndeshjen tonë në Elbasan, munguan përfaqësuesit më të lartë të Federatës, sepse prania e tyre dashje pa dashje do të kishte krijuar një “presion” ndaj arbitrave. Kuptohet që futbolli ka edhe fatin brenda, dhe atë që nuk e patëm në Elbasan, besoj se do ta kemi në Riga. Dhe, duke bërë një lojë të mirë dhe duke nxjerrë gabimet nga ndeshja e kaluar, jam i bindur se do të kemi sukses dhe do të kalojmë në turrin tjetër. Kam besim te djemtë dhe jemi optimistë për kualifikimin”, është shprehur fillimisht Xhaferi.
Por a i mungoi goli i Grudës Vllaznisë në këtë ndeshje? Numri 1 i klubit shkodran nuk ka pasur shumë dëshirë të merret më me këtë çështje dhe është shprehur: “Kjo është çështje e ezauruar, nuk më intereson më. Gruda ka marrë iniciativat e veta, siç ka marrë edhe Egnatia iniciativat e veta, kështu që është problemi i tyre dhe nuk dua ta komentoj më këtë gjë. Kjo është një e shkuar për ne”, tha ai.