Komuniteti i hip-hop-it është tronditur nga një tjetër humbje e rëndë. Reperi amerikan Young Noble, emri i vërtetë i të cilit ishte Rufus Lee Cooper III, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare.
Lajmi i hidhur u bë i ditur nga kolegu dhe miku i tij i ngushtë, EDI Mean, gjithashtu kushëri i Tupac Shakur, i cili konfirmoi se Noble i ka dhënë fund jetës së tij në mëngjesin e së premtes në Atlanta.
Sëmundja mendore është një betejë që shumë e luftojnë në heshtje. Ju lutem, kujdesuni për njerëzit tuaj
-shkroi EDI në një postim emocional në Instagram, duke bërë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe mbështetje emocionale.
Young Noble ishte një nga figurat më të rëndësishme të grupit legjendar “Outlawz”, të themeluar nga vetë Tupac në vitet ‘90.
Ai iu bashkua grupit vetëm pak muaj para se Tupac të vritej në vitin 1996 dhe që atëherë, nuk reshti së punuari për të mbajtur gjallë trashëgiminë e tij muzikore dhe mesazhet që ai përfaqësonte.
Përveç kontributit të tij në grup, Young Noble u dallua edhe në karrierën solo me albume si “Noble Justice”, “Son of God” dhe “3rd Eye View”, ku shpaloste jo vetëm talentin, por edhe dhimbjet e betejave personale.
Ai kishte kaluar më parë një atak në zemër, që për shumë u pa si një sinjal alarmi për sfidat që ai përjetonte – jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht.
Humbja e tij lë pas një boshllëk të madh për fansat, miqtë dhe industrinë e muzikës, ndërsa zëri i tij do të mbetet përherë i gjallë në historinë e hip-hop-it.