Bota

Huthët e Jemenit lëshojnë raketa drejt Izraelit/Rrezik për zgjerimin e konfliktit!

Huthët e Jemenit, grup i lidhur ngushtë me Iranin, sot lëshuan raketa drejt Izraelit, në të parin sulm të tyre që nga nisja e luftës së SHBA-ve e Izraelit me Iranin, një muaj më parë. Ky veprim rrezikon të zgjerojë e të zgjasë konfliktin, që tashmë ka hyrë në javën e pestë.

Grupi deklaroi se operacionet do të vazhdojnë derisa të përfundojë “agresioni” në të gjitha frontet.

Autoritetet izraelite thanë se një raketë e lëshuar nga Jemeni u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Lufta është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme, duke shkaktuar mijëra viktima dhe ndërprerjen më të madhe ndonjëherë në furnizimin me energji. Kjo ka goditur rëndë ekonominë globale, duke nxitur frikën e inflacionit.

Huthët kanë paralajmëruar se janë të gatshëm të veprojnë nëse vazhdon përshkallëzimi kundër Iranit dhe aleatëve të tij, që grupi i quan “Boshti i Rezistencës”.

Në fakt, Huthët kanë treguar aftësi për të goditur objektiva shumë larg Jemenit e për të prishur rrugët e transportit detar rreth Gadishullit Arabik e Detit të Kuq, siç ndodhi pas 7 tetorit 2023, kur vepruan në mbështetje të Hamasit në Gaza.

Nëse Huthët hapin një front të ri në konflikt, një objektiv i dukshëm do të ishte Ngushtica Bab Al-Mandab, pranë brigjeve të Jemenit. Kjo është një pikë strategjike që kontrollon trafikun detar drejt Kanalit të Suezit.

Situata bëhet edhe më e ndjeshme pasi Irani ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një tjetër korridor kritik për furnizimin global me energji.

Sipas mediave ndërkombëtare ky zhvillim po tregon rrezikun e hapjes së fronteve të reja në Lindjen e Mesme, duke e bërë konfliktin edhe më kompleks e po ashtu, me pasoja të gjera sa i përket stabilitetit rajonal, si edhe ekonomisë botërore.