Bota

Irani nis sulm të ri ndaj centralit bërthamor të Bushehrit!

Kriza në Lindjen e Mesme vazhdon, me objektet strategjike të Iranit ende nën sulm nga Amerika e Izraeli, ndërsa nuk ndalen goditjet ndaj bazave amerikane në zonë, si kundërpërgjigje. E fundit që u godit ishte baza Sultan në Arabinë Saudite.

Një përditësim i ri mbi konfliktin në vazhdim vjen nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike që deklaroi se Irani e kishte informuar për një sulm të ri pranë termocentralit bërthamor Bushehr, i treti në 10 ditë. Teherani informoi agjencinë se nuk kishte dëme në reaktorin operativ dhe asnjë rrjedhje rrezatimi dhe se termocentrali po funksionon normalisht. Ndërkohë, Izraeli raportoi raketën e parë të lëshuar nga Jemeni që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, çështja e Ngushticës së Hormuzit mbetet në qendër të vëmendjes. Grimca shprese vijnë pasi ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë njoftoi dje se Teherani kishte rënë dakord të “lehtësonte dhe përshpejtonte” ndihmën humanitare përmes Ngushticës së Hormuzit.

Plani i ndihmës do të përfaqësonte përparimin e parë në këtë rrugë ujore vendimtare nga Azia. Nga ana e saj, Tajlanda njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Iranin për të lejuar që tankerët e saj të naftës të kalojnë nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit, e cila është praktikisht e paralizuar që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme.

Është arritur një marrëveshje për të lejuar tankerët e naftës tajlandeze të kalojnë në mënyrë të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke ndihmuar në zbutjen e shqetësimeve në lidhje me furnizimin me karburant të Tajlandës, tha kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul në një konferencë për shtyp.