Irani bëri të ditur se prej moshës 12-vjeçare, fëmijët mund të anëtarësohen në programin e ri “për luftëtarët që mbrojnë atdheun”. Skema e rekrutimit është raportuar nga disa media iraniane, e prezantuar nga një zyrtar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, e shpallur “grup terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, më 26 mars.
Rahim Nadali, zëvendësdrejtori i Gardës për sektorin e Kulturës në Teheran, tha se programi është përgjigje ndaj kërkesës së madhe të publikut për të ndihmuar ushtarët që po përballen me “agresion global”, duke iu referuar sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite.
Ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, që nuk ka leje për të operuar në Iran.
Ne kemi një plan që e quajmë “Për Iranin” e është plan për luftëtarët që mbrojnë atdheun, u shpreh Nadali. E kemi caktuar moshën minimale në 12 e lart.
Mediat iraniane raportuan se në mesin e detyrave për rekrutët do të përfshihen patrullimet dhe “turnet në pika kontrolli”.
Diçka e tillë mund t’i rrezikojë fëmijët. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar pikat e kontrollit që i takonin milicisë Basij, degë e Gardës Revolucionare, e angazhuar për shtypjen brutale të disidencës në Iran.
Një thirrje e Basijit për rekrutim, e publikuar në mediat iraniane në programin “Për Iranin”, shfaqte fëmijë që shihet se janë në grup-moshën e synuar të projektit, duke qëndruar mes flamujve iranianë teksa raketat e djegura rrëzohen nga qielli.
Irani ka histori të rekrutimit të fëmijëve për role në siguri ose edhe role luftarake, përfshirë në luftën e viteve ’80 me Irakun. Histori të të miturve që sakrifikuan jetën e tyre për të shkatërruar tanket irakiane janë mësuar në shkollat iraniane si mënyra të indoktrinimit.
Në vitin 2017, grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch ka raportuar se Irani është duke rekrutuar fëmijë afganë për të luftuar në Siri.
Aty thuhej se duke nisur që nga mosha 14 vjeç, edhe fëmijë kanë shërbyer në njësitë afgane të mbështetura nga Republika Islamike e Iranit e që kanë qenë në krah të forcave besnike të presidentit të atëhershëm, Bashar al-Assad në luftën civile shtetërore në Siri.