Aktualitet

Hyn në fuqi ligji që i hap rrugë ndërtimit të centraleve diellore në toka kullotë!

Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin për “Fondin kullosor” e që hynë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare do të lejohet ndërtimi i centraleve diellore e të erës. Në vendin tonë, ky fond përfaqëson një pjesë të rëndësishme të tokave bujqësore, të cilat përdoren për blegtorinë, sidomos kullotjen e bagëtive e përbëjnë një pjesë të rëndësishme të atyre të destinuara për aktivitet bujqësor dhe blegtoral në vend. Fondi kullosor publik dominon me rreth 320,000-340,000 hektarë ndërsa fondi privat zë rreth 60,000-80,000 hektarë.

Ndryshimet në ligj u miratuan në Kuvend pas kërkesës së deputetes socialiste, Edona Bilali:

Tashmë ashtu sikurse shumë vende të BE-së edhe Shqipëria renditet mes vendeve që optimizon burimet e veta duke lejuar aktivitetet e energjisë së rinovueshme në toka kullotë.

Një nga avantazhet potenciale të tokave rurale dhe malore është përdorimi i tyre për energji të rinovueshme nëpërmjet paneleve fotovoltaike. Duke qenë se Shqipëria ka të disponueshme një hapësirë të konsiderueshme fondi kullosor dhe ka si objektiv rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme, përdorimi i kullotave si për prodhimin bujqësor e blegtoral, ashtu edhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme do të ishte një skenar ‘fito-fito’ për ekonominë e vendit tonë. Përdorimi i paneleve fotovoltaike është pjesë e përpjekjeve për të promovuar energjinë e gjelbër dhe për të shfrytëzuar hapësirat natyrore të papërdorura për qëllime energjetike.

Me këto ndryshime ligjore mundësohet përdorimi i  dyfishtë i sipërfaqeve të fondit kullosor, si për kullota edhe si burim për prodhimin e energjisë alternative, të gjelbër.

Sipas këtyre ndryshimeve, sipërfaqe tokash të fondit kullosor mund të jepen në përdorim për të zhvilluar në to veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike dhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Në ligjin e publikuar në Fletoren Zyrtare saktësohet se për lejimin e ushtrimit të veprimtarive që lidhen me prodhimin e energjisë së rinovueshme në fondin kullosor shtetëror do jenë njësitë e qeverisjes vendore që do të ndjekin procedurat ligjore përkatëse për dhënien e së drejtës së përdorimit.

Panelet diellore janë instaluar në një lartësi prej 5 metrash nga sipërfaqja e tokës, që të mundësohet përdorimi i saj lirisht për ushqimin e bagëtive. Praktika të suksesshme të kësaj mënyre shfrytëzimi të sipërfaqes kullosore vijnë nga Gjermania, Austria, Franca, Holanda e Italia, ku ky sistem aplikohet prej vitesh.