Për ditën e sotme (22 janar) vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, SHMU, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si edhe me intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).
Përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave bregdetare pritet të ketë reshje shiu të herëpashershme e me intensitet kryesisht të ulët. Në periudha tepër afatshkurtra, këto reshje do të jenë në formën e shtrëngatave. Mjegull e dendur/mjegullinë bëhet prezente në zonat luginore në orët e mëngjesit, si dhe në momentin e reshjeve të shiut.
Në zonën e Alpeve ka reshje dëbore me intensitet të ulët, kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë. Era fryn me drejtim verilindje – juglindje dhe me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare e në zonat luginore, me shpejtësi deri në 16 m/s.