Filodendroni, i njohur si një nga bimët më të qëndrueshme të ambienteve të brendshme, njihet për gjethet e ti me prerje dekorative. Me origjinë nga rajonet tropikale të Amerikës Qendrore dhe Jugore, ai mund të arrijë deri në tre metra lartësi dhe për shkak të lehtësisë së mirëmbajtjes, zbukuron shumë shtëpi në gjithë madhështinë e tij. Është jashtëzakonisht rezistent dhe i qëndrueshëm, nuk kërkon shumë kujdes për sa i përket mbajtjes dhe ujitjes dhe në këmbim do t’ju shpërblejë me pamje të gjalla, sidomos kur çel me gjithë fuqinë e tij ose kur rritet deri në tavan.
Gjethet e mëdha, lëkurore, me prerje dhe vrima karakteristike, të cilat nganjëherë arrijnë deri në 80 centimetra gjatësi, sjellin atmosferën e xhunglës tropikale në shtëpinë tuaj dhe freskojnë të gjithë hapësirën. Duke pasur parasysh origjinën, koha e tij ideale është vera. Megjithatë, filodendroni mund të lulëzojë edhe gjatë dimrit, për aq kohë sa i kushtojmë pak më shumë kujdes në këtë periudhë specifike. Temperaturat e ulëta, ditët e shkurtra dhe ajri i thatë nga ngrohja qendrore mund të ndikojnë në rritjen e tij. Shpesh shfaqen simptoma si gjethe të verdha me maje kafe ose rritje e ngadalësuar. Por ka një zgjidhje të thjeshtë që mund të bëjë ndryshim të madh.
Nxehtësia, drita dhe lagështia, tri elemente kyçe! Nëse mungon njëri prej tyre, bima mund të fillojë të ketë probleme. Një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të bëni kur fillojnë ditët e ftohta është të kontrolloni vendin ku e mbani filodendronin. Vendi ideal gjatë dimrit është pranë një dritareje të orientuar nga jugu, pasi kjo i siguron mjaftueshëm dritë natyrale. Temperatura optimale është ndërmjet 18 dhe 24 gradë Celsius. Asnjëherë mos e vendosni pranë radiatorit apo pranë një dritareje që hapet shpesh, pasi korrenti dhe ndryshimet e papritura të temperaturës mund ta dëmtojnë.
Për shkak se ngrohja qendrore e than ajrin, rekomandohet përdorimi i një lagështuesi të ajrit në dhomën ku gjendet filodendroni. Mund të ndihmojë edhe spërkatja e lehtë e gjetheve me ujë. Një tjetër gabim i zakonshëm është teprimi me ujë, i cili mund të shkaktojë kalbje të rrënjëve. Po ashtu, ulni edhe frekuencën e plehërimit, ekspertët thonë se një herë në muaj është më se e mjaftueshme gjatë dimrit.