Igli Tare ka “përveshur mëngët” për të gjetur trajnerin e ri të Milanit.
Objektivi numër një mbetet gjithmonë Vinçenco Italiano. Drejtori sportiv ka pasur kontakt me të, duke i paraqitur një ofertë prej 4 milionë eurosh në sezon. Nga ana e Bolonjës, ende nuk ka marrëveshje për rinovimin, si për sa i përket kohëzgjatjes ashtu edhe shifrave.
Oferta nuk e kënaq Italianon dhe Milani shpreson ta bindë atë pasi prioriteti i trajnerit ishte zgjatja e kontratës së tij me kuqezinjtë, e cila megjithatë nuk ka mbërritur ende. Rruga tjetër që Milani po ndjek për trajnerin e ardhshëm është ajo që të çon te Masimiliano Alegri.
Kontaktet janë me trajnerin, por ka konkurrencë pasi Napoli ndërhyri i pari. Tiago Mota gjithashtu mbetet në prapavijë si një alternativë.
Igli Tare është drejtori i ri sportiv i Milanit. Klubi kuqezi e njoftoi këtë përmes një deklarate për shtyp ku shkruan: “AC Milan njofton se ia ka besuar rolin e Drejtorit Sportiv të Ekipit të Parë Igli Tares, i cili do t’i raportojë Drejtorit Ekzekutiv të Klubit, Giorgio Furlani”, thuhet në tekst.
“Tare është figura ideale për të kontribuar në rilançimin e Klubit , përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv”, deklaroi Giorgio Furlani duke përshëndetur DS-në e re.
Ndërsa vetë Tare deklaroi: “Të bashkohesh me një klub si Milani është një burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. Falënderoj klubin që më besoi këtë rol. Klubi e di vendosmërinë time të madhe dhe dëshirën time për të bërë mirë duke vënë të gjithë përvojën që kam në shërbim të një Klubi të madh që ka objektivin absolut të kthehet në protagonist në Itali dhe Evropë.”