Sport

Inter, Marotta: Sot armiku ynë, sindroma e fitores. Nga Oaktree, investime 100 mln euro për strukturat

Interi do të nisë sezonin e ri si skuadra kampione e Italisë, por edhe me ndryshime të bëra në skuadër në përfundim të sezonit. Zikaltrit kanë parë disa largime dhe për momentin vetëm për Sommer është gjetur zëvendësuesi, që është Provedel, ndërsa në vend të De Vrij, Acerbit dhe Darmian nuk ka ardhur askush.

Por jo vetëm kaq, largimi i Dumfries ka lënë një boshllëk në krahun e djathtë, një boshllëk që pas dështimit në tentativat për Palestrën dhe problemeve me Khalailin po bëhet ditë pas dite më i madh. Riblerja e Stankovic Jr, ardhja e kanadezit Massolin dhe rinovimi i Mkhitaryan janë të vetmet operacione në merkaton dhe që ditë pas dite ngjall dyshime. Janë këto çështje që janë prekur nga vetë presidenti i Interit, Beppe Marotta në konferencën për shtyp, të cilën e nisi me objektivat sezonalë të skuadrës milaneze.

‘Marrim pjesë si skuadra e vetme italiane në 4 kompeticione, Champions League, kampionat, Kupë Italie dhe Superkupë italiane-tha Marotta-jemi kampionët në fuqi, kemi fituar titullin e Serie A dhe Kupën e Italisë. Këto na bëjnë shumë krenarë. Dy triumfe të vuajtura, të arritura falë kulturës së punës dhe ndjenjës së përkatësisë, falë aftësive të trajnerit dhe futbollistëve, me mbështetjen e klubit. Është motiv krenarie, por tani rinis gjithçka nga e para. Objektivat? E përsëris, jemi e vetmja skuadër italiane që do të marrë pjesë në 4 kompeticione. Objektivat janë të një prestigji shumë të madh, duhet të bëjmë paraqitje më të mira në Champions League. U eliminuam nga Bodo, por kjo është pjesë e rregullave të këtij sporti shumë të bukur. Jemi përballur me skuadra të një niveli shumë të lartë, sidomos në aspektin financiar. Për fat nuk ekziston ligji se kush shpenzon më shumë fiton. Ndonjëherë paraja është zëvendësuar nga modeli me karakteristikat që thashë më parë. Për titullin, jemi kampionët në fuqi. Nga 2020 e deri tani, asnjë skuadër nuk ia ka dalë të fitojë dy tituj radhazi dhe ky është objektivi ynë. Kemi një armik të brendshëm, sindromën e fitores që nuk duhet të na bëjë të ndihemi të ngopur; nuk duhet të ndihemi të ngopur’.

Marotta foli edhe për mbështetjen nga ana e pronarëvë të Interit, kompanisë Oaktree

‘Po përpiqemi të fitojmë përmes një modeli të qëndrueshëm-shtoi Marotta-pronësia jonë erdhi në një moment kur klubi ishte në vështirësi. Na është gjendur pranë dhe tani jemi në një situatë shumë solide falë tyre. Oaktree jo vetëm që ka bërë investime në menazxhimin e zakonshëm, por ka pranuar edhe kërkesën tonë për të pasur struktura të reja. Do të investohen mbi 100 milionë euro për strukturat e reja. Kjo  skuadër ka profesionistë seriozë, Interi kërkon sërish ndjenjën e përkatësisë. Ne nuk fshihemi pas frazës ‘duhet të arrijmë mes 4 skuadrave të para’. Pozicionimi mes 4 të parave është gjithnjë një objektiv fiziologjik’.