Pas një pune hetimore disamujore, policia e Fierit ka arrestuar 4 administratorë farmacish dhe ka proceduar penalisht një tjetër, pasi tregtonin në farmacitë e tyre, ilaçe të kontrabanduara. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Medicine”.
Policia njoftoi sot se si rezultat i hetimeve proaktive, të ndjekura për disa muaj, në kuadër të operacionit “Medicine”, me objektiv goditjen e kontrabandës së mallrave, u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh.Y., 65 vjeç, A.Xh., 59 vjeçe, P.B., 36 vjeçe dhe T.P., 35 vjeçe. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen T.A., 53 vjeçe.
Sipas policisë, nga kontrollet e kryera në farmacitë që administronin këta shtetas, si dhe në banesat e tyre, u gjetën ilaçe pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me vlerë rreth 800 mijë lekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.