Aktualitet

Industria ushtarake/ Vengu: Në prill nis prodhimi i dronëve, 252 ushtarë të rinj!

Prodhimet e para të industrisë ushtarake ‘Made in Albania’ nisin në muajin prill ku janë nënshkruar 6 kontrata për 326 vende pune.

“Në prill kemi dronët në ish-uzinën e auto-traktorëve nga kompania KAYO. Në maj përfundon puna për fabrikën e tekstileve në zonën e Babrrusë, për prodhimin e uniformave me produktet e para të porositura, janë bërë porositë e parë, katër kompani prodhuese. Në korrik nisim prodhimin e municioneve të para”, tha Vengu.
Duke bërë një pasqyrë për kapacitetet e mbrojtjes, ministri u ndal tek rekrutimi i ushtarëve. Berati, Elbasani dhe Korça kryesojnë me më shumë ushtarë të rinj.

Faza e parë e rekrutimeve, 252 ushtarë dhe që kanë filluar që sot stërvitjen. Praktikisht u janë shtuar FA 1000 personel aktiv. Synojmë të rekrutojmë 363 rezervisteve këtë vit. Kontratën e rezervistëve e shoqërojmë me bursa. Fillojnë këtë vit rekrutimet për akademinë e aviacionit. Në maj vijnë helikopterët stërvitorë”, tha Vengu.

Përpos misioneve të NATO-s, Shqipëria së fundi ka marrë angazhim edhe në Bordin e Paqes për Gazën ku do të kontribuojë me trupa ushtarake.

“Kanë qarkulluar shumë harta në media. Nuk janë harta zyrtare, do të jenë bisedimet e shtabit që do t’i përcaktojnë. Forcat tona janë brenda një ombrelle të një aleati më të madh”, tha Vengu.

“Nuk ka asgjë konkretë për hartën nuk ka ndarje operacionale. Është faza fillestare e planëzimit”, tha Arben Kingji, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Emergjencat civile të menaxhimit të situatave të përmbytjeve dhe zjarreve në vend merr një pjesë jo të vogël të buxhetit të ministrisë së Mbrojtjes. Për përmbytjet e fundit, Vengu tha se e ka gati paketën e kompensimit të dëmeve sidomos në bujqësi dhe blegtori. Ndërsa për zjarret, dha garancinë se në dispozicion këtë verë do të jenë 4 helikopterë.