Tech Top Tech - News

Instagram prezanton mundësinë për të edituar komentet brenda 15 minutave!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Sa herë ke bërë një koment në Instagram… dhe sapo e poston, e lexon prapë dhe thua: “Jo… jo… pse shkrova ‘shumë bukur’ pa emoji?” Panik. Fshi, rishkruaj, dukesh si njeri i pasigurt. Histori që mbaron sot.
Sepse Instagram më në fund ka bërë një lëvizje revolucionare — mund të EDITOSH komentet. Po, po. 2026 dhe ne po festojmë një buton “edit”, sikur sapo zbuluam zjarrin.
Tani, pas postimit, ke 15 minuta kohë për të rregulluar çdo gabim. Pra, një çerek ore për të korrigjuar autokorrektin që vendosi të të turpërojë publikisht. Brenda atyre 15 minutave mund ta ndryshosh komentin sa herë të duash. Pas kësaj… mbaroi loja. Komenti yt mbetet aty, si tatuazh i gabuar në internet.
Sigurisht, ka edhe një twist: të tjerët do e shohin që e ke edituar komentin, por nuk do dinë çfarë ke shkruar më parë. Pra, në teori mund të shkruash “super postim!”, pastaj ta kthesh në “ok.” dhe askush s’e di dramën që ndodhi në prapaskenë.
Por kujdes — mund të ndryshosh vetëm tekstin. Nëse ke postuar një foto të çuditshme në koment… ajo mbetet. Pra nëse ke dërguar gif-in e gabuar, nuk ka “undo”. Eh, Jeta është e vështirë.
Ndërkohë, kjo lëvizje vjen në një moment kur Meta po përpiqet të rregullojë imazhin, sidomos për përdoruesit e rinj. Madje po vendos edhe kufizime për adoleshentët, si filmat +13. Sepse më në fund doli dikush që pyeti: “Po këta fëmijë… a janë mirë?”
Pas disa proceseve gjyqësore serioze në Amerikë për ndikimin te të rinjtë, Instagram po përpiqet të duket më i përgjegjshëm. Dhe ndërkohë na jep një buton “edit”.
Pra, interneti po digjet… por të paktën tani mund të korrigjosh gabimin te komenti yt. Prioritete.