Instagrami është një rrjet social tepër i përdorur ditët e sotme. Shpesh dëgjojmë këshillën klasike: “Mos përdor telefonin para gjumit.” Por sipas kërkimeve të fundit, nuk është vetëm drita blu e ekranit që na prish gjumin, është mënyra si e përdorim rrjetin social para se të mbyllim sytë. Një studim i ri nga psikologu dhe studiuesi i gjumit, Brian N.Chin, tregon se angazhimi emocional me rrjetet sociale është një nga faktorët kryesorë që po na prish cilësinë e gjumit, sidomos tek të rinjtë dhe adoleshentët.
Sot, shumica e të rinjve nuk arrijnë të flenë mjaftueshëm. Mungesa e gjumit lidhet me ankthin dhe depresionin, dobësim të memories dhe përqendrimit, rënie të performancës akademike, madje edhe me rreziqe për shëndetin kronik dhe jetëgjatësinë. Nuk është sa kohë rri në Instagram, por si ndihesh kur je aty. Studiuesit kanë zbuluar se frekuenca e përdorimit të rrjeteve sociale dhe përfshirja emocionale janë më të lidhura me cilësinë e dobët të gjumit sesa thjesht koha para ekranit.
Në një studim të vitit 2024 me 830 të rinj, u zbulua se ata që vizitonin shpesh rrjetet sociale dhe ndiheshin emocionalisht të lidhur me to kishin probleme më të mëdha me gjumin. Krahasimi social dhe ngarkesa mendore para gjumit ishin faktorë kryesorë që ndikonin në cilësinë e gjumit. Shmang përmbajtjen emocionale të paktën 30-60 minuta para gjumit. Lëre telefonin jashtë dhomës së gjumit ose aktivizo “Mos shqetëso”. Pyete veten “A dua vërtet të jem në këtë aplikacion tani?”
Rikujtojmë se Instagram po teston një funksion që mundëson “bllokimin” e Reel-eve me një “kod sekret”, por me një sugjerim (hint). Kjo duket si një mënyrë e re se si krijuesit mund të komunikojnë me ndjekësit, pasi ata mund të ndajnë Reel-e ekskluzive me njerëz që do të dinë me siguri përgjigjen për sugjerimin. Për shembull, një krijues mund të bllokojë një Reel me sugjerimin “ushqimi im i preferuar” dhe ndjekësit do të dinë përgjigjen.