Banka më e madhe e Singaporit ka njoftuar se pret të shkurtojë 4,000 pozita gjatë tre viteve të ardhshme pasi Inteligjenca Artificiale po merr më shumë punë të kryera aktualisht nga njerëzit. Bëhet e ditur se stafi i përhershëm nuk pritet të preket nga shkurtimet. Shefi ekzekutiv i bankës, Piyush Gupta tha gjithashtu se pret të krijojë rreth 1,000 vende të reja pune të lidhura me AI. Kjo e bën DBS një nga bankat e para të mëdha që ofron detaje se si AI do të ndikojë në operacionet e saj. DBS aktualisht ka ndërmjet 8,000 dhe 9,000 punëtorë të përkohshëm dhe me kontratë. Gjithashtu, banka punëson gjithsej rreth 41,000 njerëz.
Vitin e kaluar, Gupta tha se DBS kishte punuar në AI për më shumë se një dekadë. “Ne sot vendosim mbi 800 modele të AI në 350 raste përdorimi dhe presim që ndikimi i matur ekonomik i tyre të kalojë 1 miliardë dollarë amerikanë në 2025”-tha Gupta. Ai do të largohet nga DBS në fund të marsit dhe do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij aktual Tan Su Shan. Bëhet e ditur se përhapja e vazhdueshme e teknologjisë së AI ka vënë në qendër të vëmendjes përfitimet dhe rreziqet e saj, me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) duke thënë në vitin 2024 se ajo do të prekë gati 40% të të gjitha vendeve të punës në mbarë botën. Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se “në shumicën e skenarëve, AI ka të ngjarë të përkeqësojë pabarazinë e përgjithshme”.
Ndërkaq, një studim i bërë së fundmi arrin në përfundimin se mjekët janë në gjendje të zbulojnë kancerin në gji më shpesh në rastet kur përdorin inteligjencën artificiale për të ndihmuar në leximin e rezultateve të mamogramit. Inteligjenca artificiale po ndihmon në zbulim të kancerit të gjirit, duke e rritur shkallën e zbulimit në mbi 17 për qind. Kur mjekët përdorën inteligjencën artificiale për të analizuar mamogramet e mbi 460,000 grave në Gjermani, ata arritën të zbulojnë një rast më shumë kanceri për çdo një mijë gra, krahasuar me rastet kur analizoheshin vetëm nga mjekët. Mjeku Alexander Katalinic ishte autori kryesor i studimit.