Bota Health & Beauty

Inteligjenca artificiale zbulon dy antibiotikë të rinj kundër gonorresë dhe MRSA?

Shkencëtarët e Institutit të Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT) kanë shpikur dy antibiotikë të rinj potencialë, të aftë për të vrarë gonorrenë rezistente ndaj ilaçeve dhe bakterin vdekjeprurës MRSA.

Barnat u projektuan me saktësi atom pas atomi nga inteligjenca artificiale dhe kanë treguar rezultate pozitive si në testet laboratorike, ashtu edhe në eksperimentet me kafshë.

Sipas studiuesve, këta përbërës të rinj kanë ende nevojë për vite të tëra zhvillimi dhe provash klinike përpara se të mund të përdoren tek pacientët.

Megjithatë, ata besojnë se ky zbulim mund të shënojë fillimin e një “epoke të dytë të artë” në zhvillimin e antibiotikëve.

Infeksionet rezistente ndaj trajtimeve aktuale shkaktojnë mbi një milion vdekje çdo vit.

Përdorimi i tepruar i antibiotikëve ka ndihmuar bakteret të zhvillojnë mekanizma mbrojtës, ndërsa mungesa e barnave të reja ka qenë një problem i madh për dekada.

Në këtë studim, i botuar në revistën “Cell”, inteligjenca artificiale shqyrtoi mbi 36 milionë komponime, përfshirë substanca që nuk ekzistojnë ende.

Ajo u trajnua me të dhëna mbi strukturën kimike të përbërjeve dhe ndikimin e tyre në rritjen e baktereve, duke mësuar të dallojë molekulat më efektive.

Për të krijuar molekulat e reja, u përdorën dy qasje: njëra duke ndërtuar ilaçe nga fragmente kimike ekzistuese, tjetra duke projektuar struktura krejtësisht të reja. Në proces, u shmangën përbërjet e ngjashme me antibiotikët aktualë dhe ato që mund të jenë toksike për njeriun.

Testet paraprake kanë treguar se dy nga antibiotikët e dizajnuar funksionojnë me sukses kundër gonorresë dhe MRSA-së, duke hapur rrugën për trajtime të reja kundër super-baktereve.