Aktualitet

Internet falas në sheshin “Skënderbej”

Qendra e Tiranës dhe disa pika të tjera të kryeqytetit që janë më të frekuentuara nga qytetarët e turistët do të kenë internet falas. Bashkia e Tiranës nisi projektin “Tirana Smart City” nga sheshi “Skënderbej”. Ndërkaq Veliaj tha se: “Po vijojmë punën në kantierin e sheshit “Skëndërbej”, por tani duke u krijuar mundësi qytetarëve të kenë akses në rrjet. Jemi bërë partnerë me Albtelecomin për t’u siguruar që në 7 pika të sheshit “Skënderbej” të kemi burim valor me shpejtësi 1 Gb, për të gjithë vizitorët. Sistemi i internetit është falas për të gjithë qytetarët. Pra, ata që duan ta vizitojnë sheshin, kanë edhe një mundësi më shumë për të ardhur këtu. Duam të targetojmë çdo moshë, sidomos adoleshentët, që ta përdorin internetin dhe teknologjinë në natyrë. Ndaj, edhe ata që thonë se rrinë në shtëpi sepse aty kanë internet, s’është e vërtetë sepse tani ka internet edhe në shesh”, tha Veliaj. Ai tha se këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore, të cilët do të performojnë për publikun shqiptar. “Edhe koncertet e Ermal Metës dhe Rita Orës që po organizojmë me Albtelecomin janë një arsye më shumë për të dalë nga shtëpia. Do të argëtohemi, do të kemi internet falas për të gjithë ata që kujtimet e Tiranës si turistë duan t’ua çojnë të afërmve të tyre”, shtoi Veliaj. Shërbimi WiFi publik ofrohet nga Bashkia e Tiranës nën emërtimin “Bashkia Tiranë Free WiFi”.