Më 25 korrik, zyrtarë iranianë pritet të takohen në Stamboll me homologë nga Britania, Franca e Gjermania, për të diskutuar programin bërthamor të Iranit. Kjo në kohën kur vendet perëndimore po e shtojnë presionin ndaj Teheranit për të arritur marrëveshje. Në të kundërtën, rrezikon të përballet me sanksione.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, konfirmoi se bisedimet do të mbahen në nivel të zëvendësministrave të Jashtëm.
Si përgjigje ndaj kërkesave të kombeve europiane, Irani ra dakord të mbajë raundin e ri të negociatave.
Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi njoftoi se po punohet në këtë drejtim.
Të tre vendet europiane kanë paralajmëruar që nëse nuk arrihet marrëveshje me Iranin deri në fund të gushtit, ato do t’i rikthejnë të gjitha sanksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kundër vendit, përmes të ashtuquajturit “mekanizëm rikthimi”.
Tre ditë më parë, Aragchi iu bëri thirrje fuqive europiane që t’i ndalin kërcënimet ndaj Teheranit, përfshirë paralajmërimet për rikthim sanksionesh. Me marrëveshjen e arritur në vitin 2015 mes Teheranit e fuqive botërore, këto të fundit i kanë hequr kufizimet në shitje armësh, sektorin bankar dhe teknologjinë e lidhur me çështje bërthamore. Qeveritë europiane mund të shfrytëzojnë mekanizmin e OKB-së deri më 15 tetor.
Irani e ka pezulluar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike pas bombardimeve amerikane dhe izraelite në qendrat e tij bërthamore, një muaj më parë. Europianët po iu bëjnë presion inspektorëve bërthamorë të OKB-së që të rikthejnë bashkëpunimin me Iranin, për të parandaluar Teheranin që të riorganizojë programin bërthamor, pas dëmit që i është shkaktuar nga sulmet.
Irani dhe SHBA-të kishin planifikuar të takoheshin në Oslo më herët gjatë këtij muaji, por takimi u shty, pa caktuar një datë të re. Ndonëse të dyja palët pretendojnë se mbështesin diplomacinë, Irani kërkon garanci se nuk do të ketë sulme tjera në të ardhmen.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka sinjalizuar se është i interesuar në një marrëveshje më të gjerë, si dhe ka paralajmëruar sulme të reja, nëse Irani rinis pasurimin e uraniumit në nivele të larta. Një pikëpyetje e madhe ekziston për vendndodhjen e uraniumit të pasuruar të Iranit, mbi 60%, shifër mbi nivelet e nevojshme për përdorim civil e nën nivelin e kërkuar për prodhim armësh. Irani besohet se ka rreth 400 kilogramë të uraniumit të pasuruar në atë shkallë.