Një prej librave më të lexuar dhe më të përfolur të dhjetë vjeçarit të fundit, kjo edhe për shkak të filmit dhe andrallave që e ndoqën, është një histori e dhimbshme dashurie dhe dhune, një testament i vetë autores Colleen Hoover e cila ka përjetuar dhunën në familje kur ishte ende shumë e vogël. Një roman bashkëkohor që mund të jetë libri ‘perfekt’ për t’u lexuar në shezllon.
Edhe pse jeta e Lilit nuk ka qënë e lehtë, ajo ka bashkëjetuar me dhimbjen por nuk e ka lënë veten të mposhtet prej saj, tashmë jeton në Boston, mbas diplomimit, larg qytezës së saj dhe problemeve familjare. E njohim pikërisht në ditën e funeralit të të atit, i cili ishte i dhunshëm me të ëmën gjatë gjithë jetës së saj. Në të njëjtën ditë Lili takon edhe neurokirurgun Ryle me të cilin ka një shkëndijë edhe pse ai është larg atyre që ajo i konsideron ‘tipat e saj’. Lili nis një marrëdhënie me Ryle, i cili është gjithçka që mund të donte tek një mashkull, po mbase me diçka tepër – edhe ai është i dhunshëm. Ndërkaq që Lili hap biznesin e saj të suksesshëm, ku punon me motrën e Ryle, Alyssa, dhe marrëdhënia me Ryle zhvillohet në rrugë të cilat i kujtojnë gjithmonë e më shumë kohën përpara se të vinte në Boston dhe mamanë e saj, Lili takon edhe të dashurin e saj të parë, Atlas duke e vendosur veten në një kryqëzim të thjeshtë në dukje për t’u kaluar, por shumë të vështirë emocionalisht.
Shumicën e kohës të ndodh të lexosh librin pastaj të shohësh filmin. Ndonjëherë, kur filmi është shumë ‘i keq’, dëshiron të lexosh librin, sepse mbase interpretimi i këtij të fundit për ekranin e madh nuk mundi të ishte në lartësinë e duhur.
Vitin e kaluar, filmi “It Ends With Us” me Blake Lively dhe Justin Baldoni ishte në gojën e të gjithëve. Kjo për mënyrën si u marketua – një film fashion – dhe jo një film për një temë shumë të rëndësishme siç është dhuna ndaj grave, ose abuzimi në familje; si edhe për çështjet ligjore të dy protagonistëve, çështje që vazhdojnë të jenë të hapura.
Dhe sa herë betohem që nuk do lexoj më Colleen Hoover, kur më bie në dorë, them, po ç’bëri tre orë në shezllon. Si fillim, libri është më i mirë se filmi; por pritshmëria ndaj romaneve të Hoover është afër me zeron.
Sidoqoftë…
Dua apo s’dua unë apo kushdo, Colleen Hoover është një fenomen letrar i dekadës së fundit: librat e saj, edhe pse shpesh etiketohen si “lekturë limonatë”, kanë kapur një publik të gjerë, sidomos tek të rinjtë, duke u bërë bestseller kudo.
Hoover nuk shkruan me prozë të ndërlikuar, as me figura letrare të thella. Ajo zgjedh një stil të drejtpërdrejtë, me dialogë të thjeshtë dhe skena të shkurtra, që e bëjnë leximin të rrjedhshëm dhe të shpejtë. Për kritikët letrarë, kjo është edhe pika e dobët e librit: nuk ofron thellësi estetike apo ndërtim të komplikuar narrativ. Është, siç do thoshim me një metaforë popullore, “një limonatë”: e ëmbël, e lehtë, freskuese, por jo e gjatë dhe e ngopur si një verë e vjetër.
Megjithatë, fuqia e It Ends With Us nuk qëndron në finesën letrare, por në temën e saj. Hoover trajton dhunën në marrëdhënie me një ton të sinqertë dhe personal, pasi vetë autorja është frymëzuar nga përvoja e nënës së saj. Ajo u jep lexuesve një histori që është e dhimbshme, por edhe e arritshme për t’u lexuar, duke hapur biseda mbi një temë që shpesh heshtet. Për shumë lexuese, libri është një pasqyrë e dhimbjes së tyre, duke u bërë më tepër një ngushëllim dhe një zë, sesa një vepër arti.
Nga ana letrare, romani nuk hyn dot në kanonin e letërsisë moderne – nuk ka stil unik, nuk ndërton metafora të sofistikuara dhe nuk lë hapësira të mëdha për interpretime simbolike. Por kjo nuk është detyrimisht e keqe. Hoover ka zgjedhur të shkruajë jo për kritikët, por për lexuesit. Ajo u jep historinë që duan: të drejtpërdrejtë, të prekshme, të thjeshtë.
Vlera e librit është më shumë sociologjike dhe psikologjike se artistike. Ai është një roman që mund të lexojë çdo njeri në një fundjavë dhe të thotë: “po, kjo ndodh edhe në jetën reale”. Dhe kjo është një arritje më e madhe sesa duket, sepse normalizon diskutimin për një temë të stigmatizuar.
Adaptimi kinematografik i It Ends With Us, i drejtuar nga vetë Justin Baldoni (që luan edhe rolin e Ryle-t), e çon historinë në një tjetër nivel. Blake Lively si Lily është zgjedhje e qëllimshme: një figurë glamuroze, e njohur, që duhet të mishërojë dhimbjen e një gruaje të zakonshme. Kjo zgjedhje u përfol shumë – disa e panë si të papërshtatshme për shkak të distancës së Lively nga figura e një vajze të thjeshtë, ndërsa të tjerë e panë si një mënyrë për të tërhequr audiencë të gjerë.
Ndryshe nga libri, filmi përpiqet të jetë më realist, duke shtuar tensionin vizual dhe emocional. Skemat e dhunës, reagimet e heshtura, momentet kur Lily përpiqet të bindë veten se Ryle do ndryshojë, janë të luajtura me një intensitet që ndoshta libri nuk e arrin dot. Kinemaja, me gjuhën e saj të shenjave, heshtjeve dhe syve të aktorëve, e bën dhimbjen më konkrete.
Por filmi, ashtu si romani, ruan atë sens të “lekturës limonatë”: narrativë lineare, pa shumë kompleksitet, me një përfundim të parashikueshëm. Nuk është një dramë art-house e stilit evropian, por një melodramë hollywoodiane që synon të preket zemrat e publikut të gjerë.
Edhe pse It Ends With Us nga Colleen Hoover dhe adaptimi i tij filmik me Blake Lively dhe Justin Baldoni ishin në sytë dhe veshët e të gjithëve, është e rëndësishme të kuptojmë se kjo histori ndodhet diku në mes të dy botëve: nga njëra anë, është një tregim populist, i lehtë për t’u konsumuar, e nga ana tjetër, trajton një temë të rëndë, dhunën në marrëdhëniet në çift. Ky dualitet është forca dhe dobësia e saj njëkohësisht.
Në librin e Hoover-it, dhuna nuk është e përshkruar imtësisht apo brutalisht. Ka një ton të moderuar dhe “të lexueshëm”, duke ruajtur ndjeshmërinë për publikun e gjerë, sidomos për lexuesit e rinj. Ky stil e bën librin të lehtë për t’u përthithur, por gjithashtu rrezikon të zbusë intensitetin real të traumës. Ndryshe nga romane të fuqishme si “The Color Purple” i Alice Walker, që ekspozon me një gjuhë të drejtpërdrejtë plagët e dhunës, It Ends With Us e lë të kuptohet më shumë sesa e tregon.
Në ekran, Baldoni përpiqet ta shtojë realizmin përmes syve, gjesteve dhe tensionit emocional. Megjithatë, filmi mbetet brenda kufijve të një melodrame hollywoodiane, ku bukuria e protagonistëve dhe ritmi linear e bëjnë historinë të duket më shumë si një romancë e hidhur sesa një kronikë e një realiteti të ashpër. Shenja që kjo histori të lë, qoftë e shkruar apo e ekranizuar në krahasim me vepra të së njëjtës teme: “Sleeping with the Enemy” (Joseph Ruben) apo “Big Little Lies” (Roman i Lian Moriarty, Seriali i HBO me Nicole Kidman) është e zbehtë, zhgënjyese, e gënjeshtërt.
E nëse Hoover nuk shkruan letërsi “të madhe”, ajo arrin diçka tjetër: prek miliona lexues dhe i bën të flasin për një temë ‘tabu’. Në këtë kuptim, librat e saj janë më shumë instrumente shoqërore sesa objekte artistike. Ato nuk do të studiohen në universitete për stilin e tyre, por mund të përmenden në kurse të psikologjisë apo studimeve gjinore si shembull i të ashtuquajtur kulturës ‘pop’ që ngritën një temë të lënë në hije në qendër të vëmendjes.
Sepse nganjëherë, për ta bërë një temë të rëndë të dëgjohet, duhet ta servisësh si një limonatë të ëmbël — dhe vetëm më pas, shija e saj e vërtetë fillon të lë gjurmë.
Të paktën kjo është ajo që urojmë!