Aktualitet

Itali, përleshje mes të burgosurve shqiptarë e afrikano-veriorë në burg/4 të plagosur!

Një përplasje e fortë shpërtheu në burgun Bassone në Como të Italisë, ku një grup prej 10 shqiptarësh është përfshirë në një konflikt me një grup rival, të përbërë nga të burgosur nga Afrika e Veriut. Sipas mediave italiane, konflikti nisi pas thyerjes së një porte të brendshme që ndante seksionin e shqiptarëve nga ai i rivalëve.

Dyshohet se arsyet e përplasjes së fortë, lidhen me mosmarrëveshje të mëparshme mes dy grupeve. Forcat e policisë ndërhynë në kohë duke shmangur përshkallëzimin e dhunës. Autoritetet dërguan edhe përforcime nga Milano për të menaxhuar situatën.

Në lidhje me ngjarjen, katër të burgosur janë plagosur dhe u dërguan në spitalin Sant’Anna të Como-s për trajtim mjekësor të specializuar. Gjithashtu, gjashtë nga të dhjetë të burgosurit shqiptarë janë transferuar në burgje të tjera, përkatësisht në Opera, Vigevano e në Cremona.