Në Itali, mbi 160 kilogramë kokainë u sekuestruan në provincën e Bergamos, gjatë një operacioni të Guardia di Finanza-s, ndërsa dy shtetas shqiptarë u arrestuan me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua në kuadër të një kontrolli të koordinuar nga repartet e Guardia di Finanza-s që veprojnë në Distriktin e Gjykatës së Apelit të Brescia-s. Sasia e drogës u zbulua pas ndalimit të një automjeti tip TIR, në një zonë industriale të Bergamos.
Sipas autoriteteve, pas vëzhgimit e kontrollit në zonat industriale e tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, të konsideruara me interes të lartë hetimor, efektivët konstatuan lëvizje të dyshimta të automjetit të tonazhit të rëndë.
Drejtuesi i TIR-it hyri në rimorkio dhe priti mbërritjen e një makine të dytë, që iu dorëzuan shtatë çanta të mëdha. Menjëherë pas kësaj, forcat e Guardia di Finanza ndërhynë duke bllokuar mjetet dhe personat e përfshirë.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan 150 pako me kokainë, me një peshë totale mbi 160 kilogramë. Sipas vlerësimeve, lënda narkotike do të sillte fitime rreth 20 milion euro në tregun e zi.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe në bashkëpunim me Autoritetin Gjyqësor, dy shtetas shqiptarë u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bergamos, ku do të përballen me drejtësinë.