Vritet shqiptarja në Itali, autor i dyshuar, ish-bashkëshorti, gjithashtu shqiptar. Pasditen e djeshme, Gentiana Hudhra, 45 vjeç u godit brutalisht me thikë në qytetin e vogël Tolentino, pranë Maceratës. Krimi i papritur ndodhi në një nga zonat më të populluara, në Viale Benadduci. Gruaja u qëllua disa herë me një thikë kuzhine, para syve të kalimtarëve të tronditur.
Pas vrasjes, agresori 55 vjeç, nuk tentoi të arratisej. Nga karabinierët u gjet i ulur në një stol pranë vendngjarjes, në gjendje të hutuar dhe nuk i rezistoi arrestimit.
Dëshmitarët okularë treguan se gjithçka ndodhi në pak sekonda. Gruaja u godit në një trotuar dhe pavarësisht reagimit të menjëhershëm të kalimtarëve, për fat të keq ndërroi jetë në rrugë duke mos iu mbijetuar plagëve. Policia italiane nisi hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të krimit.
Prej disa vitesh, viktima jetonte në Tolentino dhe ishte nënë e dy fëmijëve të rritur, 21 e 23 vjeç, nga martesa me autorin e dyshuar. Çifti ishte ndarë prej tre vitesh e deri më tani nuk janë raportuar episode të mëparshme dhune apo kërcënimesh.
Autoritetet po marrin në pyetje anëtarë të familjes dhe persona të njohur për të kuptuar më mirë marrëdhënien, nëse kishte shenja paralajmëruese që janë neglizhuar.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se 55 vjeçari vuan nga çrregullime të natyrës psikike. Aktualisht, ai gjendet në paraburgim. Priten vlerësimet mjeko-ligjore dhe hetimet për gjendjen e tij mendore.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta në mediat italiane, si edhe në komunitetin shqiptar në rajon, duke rihapur debatin mbi dhunën ndaj grave dhe nevojën për masa parandaluese më efikase.