Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, konfirmoi se një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe iu kërkoi të dy vendeve, të mos e shkelin.
“ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Kur pas mesnate njoftoi për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e pas tyre, armëpushimi do të hynte në fuqi.
Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para zbatimit të armëpushimit. Ushtria izraelite deklaroi se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe katër njerëz u vranë në Beersheba.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe se Izraeli ra dakord për sa kohë Irani nuk do të kryente sulme të tjera.
Një zyrtar iranian konfirmoi më herët se Teherani është pajtuar me një armëpushim, por ministri i Jashtëm iranian pohoi se nuk do t’i ndalin sulmet, nëse Izraeli nuk bën të njëjtën gjë.
Abbas Araqchi u shpreh se nëse Izraeli ndal “agresionin e tij të paligjshëm”, Republika Islamike nuk do të vazhdojë me përgjigje ushtarake më pas.
Operacionet ushtarake të Forcave tona të Armatosura të fuqishme për të ndëshkuar Izraelin për agresionin e tij vazhduan deri në minutën e fundit, në orën 04:00 të mëngjesit. Së bashku me të gjithë iranianët, i falënderoj Forcat tona të Armatosura të guximshme, të cilat mbeten të gatshme të mbrojnë vendin tonë të dashur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe që iu përgjigjën çdo sulmi të armikut deri në minutën e fundit, shkroi Araqchi në X.
Irani mohon të ketë patur ndonjëherë program për armë bërthamore, por udhëheqësi suprem i vendit, ajatollah Ali Khamenei, ka thënë se nëse do të donte ta kishte një të tillë, liderët botërorë nuk do të mund t’i ndalojnë”.