Konflikti në Lindjen e Mesme, vritet Saeed Izadi, kreu i divizionit palestinez të Forcës Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Një sulm izraelit në një apartament në qytetin iranian të Qomit i kushtoi jetën. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz shpjegoi se Izadi “financoi dhe armatosi Hamasin para masakrës së 7 tetorit”.
Ka shkëndija shprese nga negociatat e Gjenevës me Iranin, pasi u shpreh “i gatshëm të vazhdojë dialogun” me europianët mbi çështjet bërthamore. Por, Trump është skeptik dhe raketat vazhdojnë me furi mes Izraelit e Republikës Islamike.
“Teherani i gatshëm të vazhdojë dialogun me BE-në”. Sinjalin e dha kryediplomati iranian Araghchi, pasi takimit në Zvicër me kolegë nga Franca, Gjermania e Britania, si dhe me shefen e diplomacisë europiane, Kallas. Ajatollahët mund të negociojnë “kufizime” për programet e pasurimit të uraniumit, por propozimi europian shkon përtej armëve bërthamore. Gjithashtu prek ndalimin e mbështetjes ushtarake të Teheranit për Rusinë dhe grupet terroriste si Hamasi.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump u tregua i ftohtë.
Nuk ka gjasa që europianët të mund të ndihmojnë në përfundimin e luftës. E vështirë t’i kërkosh Izraelit të ndalë sulmet ndaj Iranit teksa po fiton, komentoi presidenti amerikan.
Ndërkaq, rikujtoi se dy javë është koha maksimale për të vendosur nëse do të ndërhyjë apo jo.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se Izraeli “do të eliminojë kërcënimin bërthamor iranian me ose pa Amerikën”.