Bota

Izraeli paralajmëron Hezbollahun kundër përfshirjes në konflikt!

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi grupin libanez Hezbollah që të jetë i kujdesshëm, duke shtuar se durimi i Izraelit ndaj “terroristëve” që e kërcënojnë është shteruar. Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Një ditë më parë, numri një i Hezbollahut, Naim Qassemi, u shpreh se grupi libanez do të veprojë si ta vlerësojë, në dritë të asaj që ai e quajti “agresion brutal izraelito-amerikan” kundër Iranit. Në një tjetër koment të bërë javën e kaluar, Hezbollahu nuk dha ndonjë zotim të qartë lidhur me bashkimin me Iranin në konfliktin kundër Izraelit.

Ky grup libanez bën pjesë në të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës”, që njihet si një rrjet i bashkëpunëtorëve rajonalë të Iranit, ku përfshihen grupe milicie, por edhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e BE-ja.

Hezbollahu dhe Izraeli zhvilluan një luftë njëvjeçare që përfundoi me një armëpushim të arritur në nëntor të vitit të kaluar. Por, pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon të kryejë sulme ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban.

Siç dihet, Izraeli nisi sulmet kundër Iranit më 13 qershor, duke rritur frikën për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Izraeli ka thënë se fushata ushtarake synon ta parandalojë Iranin që të ketë armë bërthamore. Menjëherë, Republika Islamike është kundërpërgjigjur me sulme raketore e me dronë dhe vazhdimisht ka hedhur poshtë pretendimet se synon të ketë armë bërthamore. Teherani vuri në dukje se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.