Mëngjesin e sotëm, ushtria izraelite aktivizoi sirenat për një breshëri raketash të lëshuara nga Irani. Të paktën njëra prej tyre goditi drejtpërdrejt në Ber Sheva, qytetin më të madh në jug të shtetit hebraik e që ka qenë shënjestër e sulmeve ditët e fundit. Raketa goditi pranë zonave të banuara, zyrave dhe objekteve industriale, duke shkaktuar dëme materiale.
Kishte një goditje të drejtpërdrejtë pranë njërës prej banesave. Dëmet këtu janë mjaft të mëdha, tha mjeku Shafir Botner.
Transmetuesi publik izraelit, Kan, publikoi pamje të makinave të përfshira nga zjarri, shtëllunga tymi dhe dritare të thyera në vendstrehime.
Të paktën shtatë persona u plagosën lehtë nga sulmet, tha Botner, i cili ishte në grupin e parë të mjekëve të urgjencës që shkuan në vendngjarje.
Ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore gjatë natës në zemër të kryeqytetit iranian, Teheran.
Goditjet shënjestruan objekte për prodhimin e raketave dhe ato për kërkimin e zhvillimin e armëve bërthamore.
Ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte “i papranueshëm” dhe vrasja e liderit suprem të vendit, Ali Khamenei, do të hapte kutinë e Pandorës. Këtë e tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan se kanë filluar kontakte të drejtpërdrejta diplomatike me Iranin dhe presidenti Donald Trump i vuri frena mundësisë së sulmit të drejtpërdrejtë të Republikës Islamike së bashku me shtetin hebre:
Do të vendosim brenda dy javësh.
Sot në Gjenevë pritet të ketë një samit të ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar me ministrin iranian Araghchi e Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme. Ende ka kohë për një zgjidhje diplomatike, referuar Londrës zyrtare.