Konflikti ajror mes Izraelit dhe Iranit, sot hyri në javën e dytë. Zyrtarët europianë po tentojnë ta kthejnë Teheranin në tavolinën e negociatave, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një vendim potencial për përfshirjen amerikane do të merret brenda dy javësh.
Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të mos lejojë armikun e përbetuar të krijojë armë bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.
Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 224 persona në Iran dhe Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga goditjet iraniane. Shteti hebraik shënjestron aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar qeverinë e liderin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë e rajonalë.
A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e tij, deklaroi dje kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Irani ka shënjestruar objekte ushtarake e të lidhura me mbrojtjen në Izrael, por po ashtu ka goditur një spital dhe shënjestra civile.
Me asnjërën palë që nuk po tërhiqet, ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës e Gjermanisë, së bashku me kryediplomaten europiane, pritet të takohen sot në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, në përpjekje për të ulur tensionet.
Tani është koha t’i japim fund skenave të rënda në Lindjen e Mesme dhe të parandalojmë një përshkallëzim rajonal që nuk do t’i sillte dobi askujt, deklaroi sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, para takimit me Abbas Araqchin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu u takua me Lammyn dje e zhvilloi biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Australia, Franca, si dhe Italia për të diskutuar rreth konfliktit.
Departamenti amerikan i Shtetit edeklaroi se Rubio dhe ministrat e Jashtëm ranë dakord që “Irani nuk mund të zhvillojë asnjëherë apo të posedojë armë bërthamore”.
Lammy konfirmoi të njëjtën gjë përmes një postimi në X, duke shtuar se situata në Lindjen e Mesme “mbetet e rrezikshme” dhe se tani “ekziston mundësia që brenda dy javësh të arrihet një zgjidhje diplomatike”.