Bota

Izraeli zgjeron sulmet në Iran/Digjen objekte energjetike në rajonin e Gjirit!

Izraeli e ka zgjeruar fushën e sulmeve ndaj Iranit, duke kryer sulme ajrore në veri të vendit, ndërsa mediat izraelite raportuan se anijet luftarake iraniane po godasin bregdetin e Kaspikut. Izraeli sulmoi veriun e Republikës Islamike e njëkohësisht goditi edhe objektet e infrastrukturës energjetike iraniane në rajonin e Gjirit. Në anën tjetër, Teherani u kundërpërgjigj duke qëlluar ndaj objekteve të naftës dhe gazit në vendet fqinje.

Irani kërcënoi se do t’i sulmojë objektet energjetike në rajon pasi deklaroi se fusha e tij gjigante e gazit, Parsi Jugor, dje u godit, në të parin sulm të raportuar ndaj infrastrukturës së Gjirit Persik, që nga fillimi i fushatës së bombardimeve SHBA-Izrael.

Mediat izraelite raportuan se sulmi u krye nga Izraeli me pëlqimin e SHBA-ve, por presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Truth Social se paraprakisht, Uashingtoni nuk ishte në dijeni për sulmin, duke shtuar se Izraeli kishte “goditur me forcë” objektin kyç energjetik.

Çmimet e naftës po rriten mes frikës për ndërprerje të mëdha në industrinë globale të arit të zi. Nafta Brent u rrit më shumë se 5%, në 112.84 dollarë për fuçi. Trump tha se po formon një koalicion për të shoqëruar anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë e rëndësishme ujore për sektorin e naftës e që Teherani e ka mbyllur tashmë. Megjithatë, shumica e aleatëve të SHBA-ve nuk duan t’i bashkohen kësaj përpjekjeje.

Në një tjetër sulm të dukshëm ndaj sektorit energjetik, Arabia Saudite tha se shkatërroi katër raketa balistike që po vinin drejt Riadit dhe raportoi një tentativë sulmi me dronë ndaj një objekti gazi në lindje.

Copëza të një rakete ranë pranë një rafinerie në jug të kryeqytetit.

Ndërkohë, në Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, operacionet u pezulluan në objektin e gazit Habshan. Autoritetet reaguan pas interceptimit të një rakete.

Autoritetet e Abu Dhabit po reagojnë ndaj incidenteve në objektet e gazit në Habshan dhe në fushën e naftës Bab, të shkaktuara nga mbetjet pas rrëzimit të suksesshëm të raketave. Objektet e gazit janë mbyllur.

Sulmet vijnë ndërsa regjimi në Teheran vazhdon të pësojë goditje vdekjeprurëse. Dje, Irani konfirmoi vdekjen e ministrit të Inteligjencës, Esmail Khatib, një ditë pasi pranoi se dy figura të tjera të larta ishin vrarë.

Në Uashington, një zyrtar kryesor i Inteligjencës tha se qeveria iraniane “duket ende funksionale, por e dëmtuar rëndë nga Operacioni “Tërbimi Epik””.

Viktima në Izrael

Izraeli vazhdon t’i intensifikojë sulmet ndaj Iranit dhe Libanit duke goditur organizatën Hezbollah, e cilësuar “terroriste” nga SHBA-të. Por, po pëson viktima e dëme nga sulmet hakmarrëse iraniane në territorin e tij.

Mëngjesin e sotëm, një punëtor i huaj u vra në Moshav Adanim dhe një person tjetër gjeti vdekjen nga një shpërthim në rajonin Sharon.

Në Bregun Perëndimor, autoritetet palestineze deklaruan se dje, mbetje raketore goditën një parukeri, ku vranë të paktën tri gra.