Vendosja e çantës në dysheme është një veprim i zakonshëm që shumë prej nesh e bëjnë pa u menduar gjatë.
Megjithatë, ky gjest i përditshëm, sado i pafajshëm të duket, mund të sjellë pasoja të padëshiruara që shkojnë përtej ndotjes fizike të çantës apo besëtytnive të njohura që lidhen me humbjen e parave.
Higjena në rrezik
Një nga arsyet më të rëndësishme për të mos vendosur çantën në tokë është ruajtja e higjienës. Dyshemetë në ambiente publike si restorante, tualete, autobusë apo zyra janë shpesh të mbushura me mikrobe, baktere dhe viruse. Kur çanta bie në kontakt me to, mikroorganizmat ngjiten në sipërfaqen e saj. Më pas, kjo ndotje mund të përhapet në vende të tjera, si tavolinat apo tryezat e punës, duke shtuar rrezikun për përhapjen e infeksioneve.
Një studim i vitit 2016 tregoi se mbi çanta mund të gjenden deri në 10.000 lloje të ndryshme bakteresh — një shifër më e lartë se ajo që gjendet në një tastierë kompjuteri.
Materiali i çantës ka rëndësi
Sipas profesor Timothy McHugh, drejtues i Qendrës së Mikrobiologjisë Klinike në University College London, materialet natyrore si lëkura ofrojnë një mjedis më të përshtatshëm për jetën e baktereve sesa materialet sintetike si plastika. Kjo ndodh sepse materiali organik përmban më shumë ushqyes për mikroorganizmat.
Edhe profesori amerikan Charles Gerba thekson ndotjen e pjesës së poshtme të çantës: “Shumë njerëz e vendosin çantën në tualete publike ose pranë lavamanëve ku mund të ketë spërkatje të ujërave të ndotura. Në testimet tona kemi gjetur sasi të konsiderueshme bakteresh fekale, përfshirë edhe E. coli.”
Masa të thjeshta për mbrojtje
Edhe pse ekspozimi ndaj këtyre mikrobeve nuk sjell gjithmonë pasoja serioze për shëndetin, ruajtja e higjienës është një hap i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve. Ja disa këshilla praktike për të shmangur rreziqet:
Mos e vendosni çantën në tokë, as jashtë shtëpisë dhe as brenda. Shmangni veçanërisht vendosjen e saj mbi sipërfaqe ku përgatitet apo konsumohet ushqim, si në kuzhinë ose mbi banakë.
Mbani higjienën e duarve. Lani duart rregullisht me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda, veçanërisht pasi keni prekur çantën pas qëndrimit jashtë.
Pastroni rregullisht çantën. Përdorni peceta antiseptike të përshtatshme për sipërfaqe për të fshirë pjesën e jashtme të çantës, veçanërisht kur ktheheni në shtëpi. Gjithashtu, mos e vendosni çantën në dollap pa e pastruar më parë, për të mos ndotur rrobat.
Përdorni alternativa për të mos e lënë çantën në tokë. Mbajeni në prehër ose përdorni një grep tavoline kur ndodheni në restorante apo ambiente të tjera publike. Kjo është një zgjidhje praktike dhe higjienike.