Celebrities Food & Drink Lifestyle

Ja mëngjesi i preferuar i Princeshës Diana! Si përgatitet…

Dieta e anëtarëve të familjes mbretërore nuk do të thotë gjithmonë havjar dhe gjethe ari. Përkundrazi, mëngjesi i preferuar i Princeshës Diana ishte i thjeshtë, i shëndetshëm dhe i lehtë për t’u përgatitur.

Megjithatë, një përbërës i pazakontë i habiti shumë njerëz, shkruan Food & Wine.

Sipas ish-kuzhinierit mbretëror Darren McGrady, i cili kaloi 15 vjet duke gatuar për Mbretëreshën Elizabeth II, Princin Philip, Princeshën Diana dhe Princët William dhe Harry, Princesha Diana e adhuronte bollgurin e zhytur në lëng portokalli!

McGrady e ndau recetën këtë verë në kanalin e tij në YouTube, duke zbuluar se Diana dikur i kishte thënë: “E dua këtë për mëngjes çdo ditë”.

Ndryshe nga mënyra klasike e përgatitjes së bollgurit në qumësht ose ujë, kjo recetë përdor lëng portokalli, gjë që i habiti shumë shikues. Edhe pse duket e pazakontë, kjo metodë përgatitjeje në fakt e ka origjinën nga Zvicra dhe njihet si Bircher müesli, një mëngjes i shpikur nga mjeku Maximilian Bircher-Brenner në fillim të shekullit të 20-të.

Si përgatitet mëngjesi mbretëror i Princeshës Diana?

McGrady këshillon përdorimin e tërshërës së prerë trashë. Tërshëra zhytet në lëng portokalli të shtrydhur dhe lihet të qëndrojë gjatë gjithë natës.

Në mëngjes, shtoni kos grek, pak lëng limoni dhe mjaltë sipas shijes. Pak para se ta servirni, shtoni mollë të grirë, arra dhe nëse dëshironi, boronica të freskëta.

Ky mëngjes mund të personalizohet sipas dëshirës tuaj, mund të shtoni fruta tropikale, kokos dhe madje edhe copa çokollate të zezë për më shumë shije.

Princesha Diana njihej për mbajtjen e një diete të shëndetshme dhe kjo recetë është një shembull i përsosur se si ushqimet e thjeshta mund të bëhen një vakt mbretëror.