Regjisorja Anila Varfi, e ftuar në ‘E Diell’, ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera të jetës së saj, duke folur për humbjen e parakohshme të vëllait, një ngjarje që, sipas saj, ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si e sheh jetën dhe ekzistencën.
Teksa komenton në studio një fotografi të familjes së saj, Varfi rrëfen emocionet, mallin dhe boshllëkun që la pas vdekja e tij në një aksident në Greqi, duke e cilësuar atë si momentin që e transformoi thellësisht dhe e afroi edhe më shumë me ëndrrat dhe botën e saj shpirtërore.
“Këto foto të çojnë pas në kohë dhe të bëjnë të kuptosh se nga vjen, dhe ndonjëherë çuditesh kur i sheh. Të japin shumë emocion. Është kënaqësi kur ndalojnë gjërat dhe ti merr atë që nuk ia more dot kohës në çast. Tani e merr me një ndjesi malli, respekti dhe mirënjohjeje për atë rrënjë.
Kam jetuar deri në 18 vjeç në Elbasan. Këtu, te kjo foto, isha 4 vjeç, ndërsa vëllai im 1. Kjo foto më jep mungesë. Aty është dikush që nuk është më. Në ata sy të gjelbër të atij fëmije unë kam përftuar, në moshën 27 vjeç, bukurinë e të gjelbrës në përjetësi. Ai është im vëlla, që jeton dhe vazhdon të jetojë në çdo fragment dhe segment të kohës sime. Vërtet jeton. Unë kam qenë 3 vite më e madhe. Nuk e di pse më shikonte kështu. Më thoshte “Madam” dhe ajo kohë, kur në moshën 27 vjeç, në vegimet ëndërrore të individit, ashtu ka folur.
Në moshën 24 vjeç bëri aksident në Greqi. Kjo është jeta. Tronditje e madhe për mamin dhe babin, pastaj edhe për mua. Unë asokohe isha martuar, kisha lindur edhe djalin, kur ndodhi kjo gjë dhe, çuditërisht, raporti me vdekjen ndryshoi në themel çdo gjë që i takonte ekzistencës sime. Në këtë lloj ekzistence që kërkoja pas largimit, ishte shumë e vërtetë. Kërkoja të gjeja shenja që lidheshin me transcendencën tjetër dhe ky ka qenë momenti që më ka sendërtuar krejt ndryshe dhe më bëri ta dua më shumë ëndrrën”, u shpreh regjisorja Anila Varfi në rrëfimin e saj.