“Jam shumë busy”. Dy fjalë që i përdorim aq shpesh sa janë kthyer në përshëndetje standarde. S’ka më “si je?”, ka “po çfarë bën?”, dhe përgjigjja e shpejtë është gjithmonë “jam i zënë”. Në fakt, jemi aq shumë të zënë, sa s’kemi më kohë të kuptojmë a jemi me të vërtetë të zënë apo thjesht po i ikim diçkaje.
Në qytetin modern, “busy” është bërë status social. Të jesh i zënë nënkupton që je i rëndësishëm, i kërkuar, që je “duke bërë diçka me jetën tënde”. Dhe nëse s’je busy, mos e thuaj me zë të lartë se do të dukesh si dikush që nuk ka ambicie. Ironike, apo jo?
Por në të vërtetë, shumë herë kur themi “jam i zënë”, ajo që duam të themi është: “nuk kam nerva”, “nuk më intereson mjaftueshëm”, ose “dua të shmang këtë situatë pa u dukur i pasjellshëm”. Dhe kjo është në rregull… për aq kohë sa e pranojmë me vete.
Fakti është se shpesh e mbushim ditën me gjëra vetëm për të mos përballuar boshllëkun. Të jesh i zënë është më e lehtë sesa të rrish vetëm me mendimet e tua. Të mbash mendjen të zënë është më komode sesa të pranosh që ndoshta disa lidhje, aktivitete apo synime, nuk kanë më kuptim. Nuk është turp të mos jesh gjithmonë në lëvizje. Në fakt, të kesh kohë për veten, për të mos bërë asgjë, për t’u lodhur, për të reflektuar, kjo është një luks që shumë e kanë harruar. Dhe ndoshta fjala e re për “s’dua” duhet të jetë pikërisht kjo: “dua të jem bosh”. Sepse në një botë ku të gjithë bërtasin që janë të zënë, të jesh i pranishëm dhe i qetë është një akt rebelimi.