Jennifer Lopez po përballet me një periudhë të vështirë në karrierën e saj artistike, ku një sërë projektesh filmike e muzikore kanë rezultuar zhgënjyese, sipas një artikulli opinioni të botuar nga gazetari Johnny Oleksinski në “New York Post”.
Sipas tij, ylli latin po përjeton “një seri epike dështimesh” – nga filmat që nuk kanë arritur pritshmëritë, deri te anulimi i koncerteve dhe një interes gjithnjë e më i vogël nga publiku.
Filmi më i fundit i Lopez, “Kiss of the Spider Woman”, një adaptim i muzikalit të njohur të Broadway-t, ka kushtuar rreth 30 milionë dollarë për t’u prodhuar dhe miliona të tjera për promovim, por sipas kritikëve, është shndërruar në një “zhgënjim dërrmues”.
Edhe pse projekti kishte si synim ta rikthente J.Lo-n në qendër të vëmendjes me një rol dramatik dhe muzikor, reagimet kanë qenë të ftohta, ndërsa kritikat më të mira i janë drejtuar aktorit bashkëpunëtor Tonatiuh.
Oleksinski thekson se pas suksesit të “Hustlers” në vitin 2019, ku Lopez u përfol si pretendente për Oscar, karriera e saj ka hyrë në një rrugë rënëse.
Albumi “This Is Me… Now” u prit me rezultate të dobëta, ndërsa turneu i planifikuar “This Is Me… Live” u anulua për “arsye familjare” – megjithëse raportimet treguan se shitjet e biletave kishin qenë shumë të ulëta.
Një tjetër dështim ishte filmi fantastiko-shkencor i Netflix-it, “Atlas”, ku Lopez interpretonte një shkencëtare që lufton për të shpëtuar njerëzimin me ndihmën e një roboti gjigant.
Filmi mori vetëm 18% vlerësime pozitive në Rotten Tomatoes, duke u renditur ndër projektet më të dobëta të saj.
Përveç kritikave profesionale, Jennifer Lopez është përfolur gjerësisht edhe për jetën e saj personale, përfshirë ndarjen nga Alex Rodriguez dhe më pas divorcin nga Ben Affleck.
Edhe pse dyshja u pa kohët e fundit në tapetin e kuq në New York, gjasat janë që rikthimi i J.Lo në lavdinë e dikurshme të mbetet i vështirë.
Gazetari Oleksinski e përmbyll analizën e tij me një vlerësim të ashpër:
Në fillim të viteve 2000, publiku e adhuronte Jennifer Lopez për komeditë romantike dhe energjinë e saj pozitive. Sot, ajo është bërë sinonim i projekteve që dështojnë. Dikur publiku e dinte çfarë të priste nga J.Lo – tani e di çfarë të mos presë.