Bota Botë e Çuditshme Lifestyle

Ju njohim me vendet ku mund të “blihet” një pasaportë e dytë!

Sigurimi i shtetësisë në një vend tjetër nuk është aspak i lehtë. Në fakt, është një proces që kërkon kohë dhe burime të konsiderueshme financiare sidomos për ata që janë të interesuar për programet e njohura si shtetësi përmes investimit. Ky program u mundëson të huajve të fitojnë ligjërisht shtetësinë e një vendi tjetër në këmbim të një kontributi financiar, zakonisht përmes një investimi të madh në pasuri të paluajtshme ose një donacioni të konsiderueshëm. Me kalimin e viteve, shumë vende përfshirë Turqinë dhe disa destinacione në Karaibe kanë zbatuar programe të tilla, megjithëse kriteret ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Sipas një raporti të fundit nga International Living, aktualisht janë 11 vende që ofrojnë mundësi për të marrë një të ashtuquajtur “pasaportë të artë”, ndërsa disa shtete të tjera po zhvillojnë programe të ngjashme. Programet e shtetësisë përmes investimit në Karaibe konsiderohen ndër më të konsoliduarat.

Në Saint Kitts and Nevis, aplikuesit duhet të bëjnë një donacion prej 250 mijë dollarësh, të blejnë një pronë private me vlerë të paktën 600 mijë dollarë, ose të investojnë të paktën 325 mijë dollarë në një projekt të miratuar nga shteti. Edhe Antigua dhe Barbuda kanë kushte të ngjashme.

Për të fituar shtetësinë atje, kërkohet një donacion prej 230 mijë dollarësh në Fondin Kombëtar të Zhvillimit, një donacion prej 260 mijë dollarësh në Fondin e Universitetit të Indive Perëndimore ose një investim prej 300 mijë dollarësh në pasuri të paluajtshme të aprovuara. Vende të tjera të Karaibeve që ofrojnë programe të tilla janë Dominica, Grenada dhe Saint Lucia. Jashtë rajonit të Karaibeve, një nga vendet më të njohura për shtetësi përmes investimit është Turqia.