Bota Travel

Këto pasaporta hapin botën pa viza! Kush sundon renditjen globale dhe ku pozicionohen Shqipëria e Kosova?

Në botën e udhëtimeve, jo të gjitha pasaportat kanë të njëjtën fuqi. Disa u hapin qytetarëve kufijtë e botës pothuajse pa asnjë pengesë, ndërsa të tjera kërkojnë ende procedura të gjata dhe pritje burokratike.

Botimi më i fundit i Indeksit të Pasaportave Henley zbulon sërish se kush e ka “çelësin” e globit në xhep.

Në krye absolut qëndron Singapori, pasaporta e të cilit u lejon qytetarëve të udhëtojnë pa viza në plot 192 vende. Pas tij renditen Japonia dhe Koreja e Jugut, me akses të lirë në 188 destinacione, duke konfirmuar dominimin e Azisë në majat e renditjes.

Europa mban fort vendet e para, me Danimarkën, Luksemburgun, Spanjën, Suedinë dhe Zvicrën në vendin e tretë, duke ofruar udhëtime pa viza në 186 vende.

Një hap më poshtë ndodhen Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Holanda dhe Norvegjia, me qasje në 185 destinacione. Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë vendin e pestë, me 184 vende pa viza.

Në këtë hartë globale, Shqipëria renditet në vendin e 43-të, me mundësi udhëtimi pa procedura të ndërlikuara vizash në 121 destinacione, ndërsa Kosova pozicionohet në vendin e 49-të, me akses në 81 vende.

Një nga historitë më befasuese të indeksit është ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe. Që nga viti 2006, vendi ka shtuar 149 destinacione të reja pa viza dhe ka fituar 57 pozicione në renditjen globale, falë diplomacisë agresive dhe liberalizimit të politikave të udhëtimit.

Më tej në listë, Australia, Letonia, Lihtenshtajni dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë vendin e shtatë, ndërsa Kanadaja, Islanda dhe Lituania renditen në të tetin. Malajzia mban vendin e nëntë, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në top 10, me akses në 179 destinacione.

Renditja tregon qartë se fuqia e një pasaporte nuk lidhet vetëm me pasurinë e një vendi, por me diplomacinë, besimin ndërkombëtar dhe politikat e udhëtimit të lirë që formësojnë lëvizjen globale.