Aktorja ikonë britanike, Dame Judi Dench, ka ndarë me publikun lajmin e dhimbshëm që fshihet pas largimit të saj gradual nga filmi dhe televizioni.
Në moshën 90-vjeçare, ylli që ka shënuar historinë e kinemasë me rolin e M në sagën “James Bond” dhe dhjetëra interpretimet e tjera të paharrueshme, po përballet me një sëmundje të rëndë që i ka ndryshuar jetën.
Dench, e cila debutoi në teatër në vitin 1957 me rolin e Ofelisë në “Hamlet”, ka një karrierë mbresëlënëse me rreth gjashtëdhjetë filma, duke fituar një Oscar për “Shakespeare in Love” dhe një koleksion çmimesh BAFTA për interpretimet në “Iris”, “Mrs. Brown” dhe “A Handful of Dust”.
Por pas një dekade shfaqjesh më të rralla, arsyeja e vërtetë u bë e qartë: aktorja vuan nga degjenerimi makular i lidhur me moshën (AMD), një sëmundje progresive e syrit që dëmton makulën, pjesën e retinës që kontrollon shikimin qendror.
Sipas ekspertëve mjekësorë, AMD është shkaku kryesor i humbjes së përhershme të shikimit te personat mbi 50 vjeç, dhe ndonëse nuk shkakton verbëri totale, e bën jashtëzakonisht të vështirë leximin, njohjen e fytyrave dhe, në rastin e Dench, punën para kamerës.
Aktorja u diagnostikua në vitin 2012, ndërsa pranon se sëmundja ka edhe komponent trashëgimor, nëna e saj vuante nga një formë e ngjashme e dëmtimit të shikimit.
Largimi i Judi Dench nga skena ka prekur miliona fansa, por aktorja vazhdon të jetë një figurë inspiruese e forcës dhe elegancës, pavarësisht sfidave të rënda shëndetësore.