Julia Roberts ka bërë një hyrje madhështore në Festivalin e Filmit në Venecia, duke tërhequr gjithë vëmendjen me një fustan elegant blu marine nga Versace.
Veshja, e dizajnuar nga drejtori i ri kreativ i shtëpisë së modës italiane, Dario Vitale, ishte një model i ngushtë prej pëlhure krep, i zbukuruar me detaje të imta Damier në fije mëndafshi të zezë.
Aktorja 57-vjeçare parakaloi në tapetin e kuq përkrah regjisorit Luca Guadagnino dhe aktorëve të filmit “After the Hunt”, Andrew Garfield, Ayo Edebiri dhe Chloë Sevigny.
Pas premierës, filmi u prit me duartrokitje të gjata për gjashtë minuta, ndërsa emocionet në sallë u shoqëruan me përqafime mes kastit dhe regjisorit.
Në këtë produksion, Roberts interpreton një profesoreshë universiteti që përballet me një krizë personale dhe profesionale, pasi një studente ngre akuza ndaj një kolegu të saj.
Roli i saj është cilësuar si një nga më sfiduesit dhe më aktualët, pasi prek tema të ndjeshme që lidhen me lëvizjen #MeToo dhe kulturën e anulimit.
Në sallë ishte e pranishme edhe aktorja Monica Barbaro, e nominuar për Oscar me filmin “A Complete Unknown”, e cila do të bashkëpunojë me Guadagnino-n në projektin e tij të ardhshëm “Artificial”.
Paraqitja e Roberts dhe interpretimi i saj në “After the Hunt” kanë marrë vlerësime të larta, duke e kthyer debutimin e saj në Venecia në një nga momentet më të spikatura të festivalit.