Celebrities Gossip Showbiz

“Ka marrë fund…”/ Seth Rogen flet pas tetë vitesh për ndarjen nga James Franco?

Pas vitesh heshtjeje, aktori dhe komediani kanadez Seth Rogen ka folur sërish për marrëdhënien e tij me James Franco, duke konfirmuar se miqësia dhe bashkëpunimi i tyre i gjatë i përkasin tashmë të kaluarës.

Dyshja u bënë të njohur për publikun që në fund të viteve ’90 falë serialit “Freaks and Geeks”, përpara se të shndërroheshin në një nga tandemët më të suksesshëm të komedisë në Hollywood. Për më shumë se dy dekada, ata bashkëpunuan në një sërë filmash dhe projektesh që i kthyen në miq të pandashëm edhe jashtë ekranit.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas akuzave të ngritura ndaj Francos për sjellje të papërshtatshme seksuale.

Pesë gra, katër prej të cilave ish-studente në shkollën e aktrimit të aktorit, e akuzuan atë për sjellje të pahijshme. Më pas u ngritën procese ligjore, të cilat Franco i mbylli në vitin 2021 përmes një marrëveshjeje prej 2.23 milionë dollarësh.

Sipas dokumenteve gjyqësore, aktori dyshohej se kishte përdorur pozicionin e tij si mësues dhe punëdhënës për t’u premtuar mundësi profesionale disa studenteve në projektet e tij.

Për vite me radhë, Rogen shmangu komentet publike për raportin e tij me ish-mikun dhe bashkëpunëtorin, por së fundmi vendosi të flasë në një intervistë për The New York Times.

Nuk kam folur me të për një kohë të gjatë. Mendoj se detajet e asaj historie janë shumë personale për t’u futur në to tani. Është një çështje private. Ekziston një anë publike për të cilën kam folur tashmë dhe qëndrimi im është i njëjtë. Mendoj se veprimet flasin vetë, sepse nuk kam punuar me të për vite me radhë

-deklaroi ai.

Aktori theksoi se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar dhe se nuk sheh asnjë mundësi për një ribashkëpunim në të ardhmen.

Nuk kam folur me të, kemi kaluar 20 vite të mrekullueshme së bashku, por mendoj se kjo ka mbaruar

-u shpreh Rogen.

Deklarata e tij duket se i jep fund çdo spekulimi për një pajtim mes dy yjeve, të cilët për shumë vite u konsideruan si një nga dyshet më të afërta dhe më të suksesshme të industrisë së filmit.

Ndërsa James Franco është përpjekur të rikthehet gradualisht në karrierë pas skandaleve që tronditën imazhin e tij publik, fjalët e Seth Rogen tregojnë se jo të gjitha marrëdhëniet e së kaluarës kanë mbijetuar pas polemikave.