Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen hetimore për “Sterilizimin”, ku të pandehur janë marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zëvendësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Gjykata ka pranuar rikualifikimin e akuzës për Ilir Beqajn, të cilit iu ndryshua nga “shpërdorim detyre”, në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.
Ish-ministri do të gjykohet në proces normal, ndërsa gjykim i shkurtuar është vendosur për ish-zv.ministrin Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Po ashtu, gjykim i shkurtuar është vendosur edhe për të akuzuarit e tjerë, konkretisht për: Saimir Kadiun, Marsela Serjanajn, Arben Gjatën, Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin.
Më herët gjykata rrëzoi kërkesat e Ilir Beqajt për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi me argumentin se ajo nuk pranoi të jepte të arsyetuar vendimin për rëndimin e akuzës.
Vetë Ilir Beqaj e ka konsideruar akuzën si një presion ndaj tij që të zgjidhte formën me gjykim të shkurtuar që të mos nxirrte të gjitha provat, të cilat, sipas tij, do ta nxirrnin atë të pafajshëm.
Sipas burimeve, në sallë Ilir Beqaj tha që s’mund të mbrohet për akuza që “as ti si gjyqtare as prokuroria nuk po pranoni t’i shkruani”. “Vërtet nuk mbrohemi dot, ama mund të denoncoj”, mësohet të ketë thënë ish-ministri.
Sipas tij, gjyqtarja e çështjes në dhjetor me vendimin që mori, është bërë pjesë e farsës dhe ka folur “me gjuhën e Albana Vokshit dhe Petrit Vasilit”.
Beqaj nga ana tjetër shprehet se çfarëdo vendimi i ndikuar nga presioni publik dhe mediatik nuk mund ta njollosë emrin e tij dhe të qeverisë Rama.
“Më janë shkelur të drejtat, akuzat e mia i ka bërë PD, keni dëmtuar në mënyrë të qëllimshme procesin, nuk ka një akuzë të shkruar për atë që akuzohem, ndikimi juaj është politik, vendimet tuaja i duartroket Sali Berisha, ju dhe prokuroria nuk keni dashur të zbuloni të vërtetën, unë nuk kam mundësi të mbrohem, por vetëm të denoncoj”, ka deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë.
Më herët, SPAK kishte ngritur akuzat penale të “shpërdorimit të detyrës” për ish-ministrin Beqaj lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë euro për “Sterilizimin”, në vitin 2015.
Ndërsa për Rrapajn dhe Rrjepajn, ngriti akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Më 30 mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë, mes tyre dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej gushtit 2023 ndodhen në burg.
Ndërkohë, në korrik të ketij viti, Beqaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje me një tjetër dosje hetimore, atë për abuzimin me fondet e Agjencisë së Menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian.
Kjo çështje, përveç Beqajt, la në qeli Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollaj. Ndërsa për Elton Martinin, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”.