Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e 15 personave të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal ka trafikuar sasi të mëdha droge nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë.
Prokuroria bën me dije se gjatë hetimeve janë dokumentuar gjithsej 8,126 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht 7,261 kilogramë kokainë, 590 kilogramë hashash dhe 275 kilogramë kanabis.
Në qendër të dosjes ndodhen Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, i njohur me nofkën “Kili”, Nazmi Shahini, i njohur si “Drazhi”, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej, të cilët sipas SPAK kanë ushtruar rolin e drejtuesve dhe financuesve të organizatës kriminale.
Ndërkohë, Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar Shkëmbi, Amer Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani akuzohen si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal.
Përveç akuzës për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje apo drejtim të grupit kriminal, ndaj disa prej të pandehurve rëndojnë edhe akuza për armëmbajtje pa leje, prodhim e mbajtje municionesh, si dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas SPAK, aktiviteti kriminal është dokumentuar edhe përmes komunikimeve të zhvilluara në platformën e enkriptuar SkyECC, të siguruara nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar. Hetimet kanë provuar se anëtarët e grupit bashkëpunonin me persona të dënuar jashtë vendit, individë të proceduar në Shqipëri, si dhe persona ende të paidentifikuar, për organizimin e trafikut dhe shpërndarjes së drogës në tregjet evropiane.
Në njoftim, SPAK sqaron se ka kërkuar pushimin e hetimeve për tre persona. Për Devid Patrut, lidhur me një nga episodet e hetimit, është konstatuar se ai është dënuar më parë nga autoritetet belge, ndaj zbatohet parimi “ne bis in idem”, që ndalon gjykimin dy herë për të njëjtën vepër penale. Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin është arritur në përfundimin se fakti penal nuk ekzistonte ose nuk u provua.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Francë, Spanjë, Belgjikë, Britaninë e Madhe, Holandë, Brazil, Itali dhe Ekuador, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë në një procedim të ndarë penal, me synim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të grupit kriminal dhe vijimin e hetimeve pasurore e financiare ndaj tyre.