Bota Health & Beauty

Kanabisi mjekësor efektiv, jo edhe aq sa mendohej!

Një rishikim i gjerë shkencor sugjeron se, pavarësisht përdorimit gjithnjë e më të madh, ka prova të pamjaftueshme shkencore që kanabisi mjekësor të jetë efektiv për shumicën e gjendjeve për të cilat promovohet. Megjithatë, disa shkencëtarë kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e gjetjeve të studimit, sipas “ScienceAlert”.

Studiues në SHBA analizuan 124 studime, të përzgjedhura nga mbi 2 500 punime të publikuara mes janarit 2010 dhe dhjetorit 2025. Rishikimi konfirmoi se kanabisi mjekësor duket se është efektiv për disa pak gjendje, për të cilat Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ka miratuar tashmë përdorimin.

Këto përfshijnë uljen e të përzierave dhe të vjellave nga kimioterapia, përmirësimin e oreksit te pacientët me HIV, si dhe trajtimin e disa çrregullimeve të rënda të krizave epileptike te fëmijët.

Por, sipas studimit, këto raste janë përjashtim, jo rregull.

Provat nuk e mbështesin përdorimin e kanabisit apo kanabinoidëve për shumicën e gjendjeve, për të cilat promovohet, si dhimbja akute dhe pagjumësia, shkruajnë autorët.

Rishikimi thekson gjithashtu rreziqe të mundshme shëndetësore nga përdorimi i shpeshtë i kanabisit të thithur ose me potencë të lartë, përfshirë rritjen e rrezikut për simptoma psikotike, çrregullim të përgjithësuar ankthi dhe sëmundje kardiovaskulare.

Ndërsa shumë njerëz i drejtohen kanabisit duke kërkuar lehtësim, rishikimi ynë nxjerr në pah hendekë të mëdhenj mes perceptimit publik dhe provave shkencore për efektivitetin e tij në shumicën e gjendjeve mjekësore, deklaroi autori kryesor Michael Hsu, studiues klinik në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA).

Nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë përfitimet dhe rreziqet e kanabisit mjekësor, theksoi  Hsu. Duke mbështetur studime më rigoroze, mund të ofrojmë udhëzime më të qarta dhe të përmirësojmë kujdesin klinik për pacientët.